Haradinaj tregon prapaskenat e takimit në SHBA, thotë se rreziku i Ujmanit s’ka kaluar

0
329

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar prapaskenat e ngjarjeve në Uashington.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në  RTV Dukagjini ka thënë se qysh para takimit në Uashington e ka ditur se një “dreq” qëndron për marrëveshjen për Ujmanin.

“Këtë dokument fillestar e kemi identifikuar si rrezik për situatën me Ujmanin, se nuk kishte një precizitet, thoshte se vetëm palët bien dakord me nda Ujmanin si burim të sigurt të furnizimit me ujë e energji”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-kryeministri Haradinaj thotë se edhe versioni aktual për Ujmanin nuk duhet ta kënaq Kosovën.

“Unë kam dashur të ketë ekuivalencë me Serbinë dhe Ujmani të largohet plotësisht…Deri tani nuk ka kompromise për Ujmanin por ka një rrezik për të ardhmen. Në fund të fundit Ujmani është edhe në Serbi, por rreziku nuk ka kaluar. Ndarja ekziston pasi kufiri ekziston në ujë”.

I pari i AAK-së ka thënë se serbët në SHBA kanë qenë në sulm qysh në fillim ndërsa sipas tij pala kosovare ka qenë pak më komode dhe nuk kanë bërë shumë insistime.

“Derisa Serbia ka arritur ta heq pikën 10 ku flitet për njohje të Kosovës, ne është dashur të kërkojmë të hiqet plotësisht Ujmani. Është dashur të veprojmë një me një”.

Haradinaj thotë se Kosova do të dëmtohet nga marrëveshjet për autostradat pasi sipas tij Kosova është vend më i vogël por sipas tij nuk humbet diçka e madhe.

“Nuk kam qenë kundër Mini-Schengenit por kam qenë kundër trajtimit që i është bërë Kosovës në atë proces. Vetëm në Tiranë Kosova ishte e ftuar si e barabartë”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.

Leave a Reply