Hajdari: Shkresa e AKP-së për ndalim të punimeve në objektin e Administratës në Prizren tendencioze

0
130

Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes një shkrese drejtuar autoriteteve komunale të Prizrenit, ka kërkuar ndalimin e punimeve në objektin “Bankkos” që shfrytëzohet nga administrata komunale.

Drejtori i Administratës, Osman Hajdari një shkresë të tillë e ka cilësuar tendencioze. Të premtën, është bërë publike një shkresë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ku në mes tjerash thuhet se “Jemi të informuar se komuna e Prizrenit ka nisur punimet në objektin e “Bankkosit”. Ju njoftojmë se komuna nuk ka paguar asnjëherë qira të shfrytëzimit, ndërsa tash ka filluar punimet pa pëlqimin e AKP-së.Prandaj, kërkojmë që menjëherë të ndërpriten punimet që janë duke u zhvilluar”, thuhet në këtë shkresë drejtuar kryetarit, Mytaher Haskuka.

E drejtori i Administratës, Osman Hajdari, thotë se një shkresë e tillë na ka befasuar, pasi që në objektin në fjalë janë zhvilluar punime edhe nga qeverisja e kaluar. Kuvendi Komunal nga viti 2014-të ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për ndalimin e procesit të privatizimit të këtij objekti dhe objekteve tjera të ndërmarrjeve publike të cilat menaxhohen nga AKP-ja, dhe se kërkesat tona që nga ajo kohë janë neglizhuar nga bordi i kësaj Agjencie, theksoi ai. Drejtori Hajdari tha më tej se, objekti në fjalë nuk është i regjistruar më regjistrat kadastral dhe se ai është pronë e komunës. Ndërsa, projekti “ One stop shop” në kuadër të të cilit janë duke u zhvilluar këto punime, nuk ia ndryshojnë destinacionin objektit, dhe se ndërhyrja në këtë rast nga AKP kur projekti ndër më i rëndësishëm po shkon drejt finalizimit është tendencioze, tha ai.

Drejtori Hajdari, tha se përkundër kërkesës së AKP-së për ndalim të punimeve ato do të vijojnë, ndërsa të hënën do të zhvillojmë një takim me zyrtarët e kësaj Agjencie për të sqaruar çështjen në fjalë. Se si do të rrjedhin gjërat rreth kësaj çështje, mbetet të shihet ditëve në vazhdim./TvPz

Leave a Reply