Gjykimi për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, pushon procedura për njërin të akuzuar

0
72

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, e ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Refki Muzbeg.

Ai së bashku me Almir Saitin, Muhamet Bajramin, Drenusha Behluli Mehmetin dhe Hatixhe Përzhellën, akuzohet se në cilësinë e menaxherëve të projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur të Prizrenit kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar, duke i shkaktuar dëm Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën gjyqësore të së hënës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, ka veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Refki Musbeg dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale.

“Duke analizuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, përkatësisht dispozitivin nën 2, ku bëhet fjalë për të akuzuarin Muzbeg ku është e përshkruar “se në periudhën kohore nga data 22 tetor 2009, e deri me datë 30 qershor 2011”, ndërsa aktvendimin për fillimin e hetimeve është marrë me datë 18 prill 2017, pra aktakuza e prokurorisë nga dita e fillimit të hetimeve është ngritur pas periudhës kohore prej 5 viteve, ku sipas nenit 1 pika 1.4 të Kodit Penal parashihet se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë 5 vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre 3 vjet burgim”, ka deklaruar gjykatësi Osmani.

Ai tha se procedura penale do të zhvillohet ndaj të akuzuarve tjerë sipas aktakuzës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka ndërprerë seancën e së hënës, pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Bajrami, avokati Rexhep Kabashi, ka qëndruar pranë propozimit nga seanca e kaluar e 10 tetorit 2019, që të jenë prezent dhe të dëgjohen si dëshmitarë, përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, e një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar as prokurori i rastit, Genc Nixha.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 27 shkurt 2020, me fillim në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Sahiti, Refki Muzbeg, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli-Mehmeti për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010, e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324.623.82 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Musbeg akuzohet se gjatë periudhës 22 tetor 2009, e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324,623.82 euro, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati,

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573,154.90 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se periudhës dhjetor 2013, e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67,633.00 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se periudhës 03 nëntor 2017, e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64,609.23 euro, të përshkruar në hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply