Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren

0
397

Gjykata e Aelit e ka kthyer në rigjykimit rastin ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, i cili ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas aktgjykimit të shpallur me 27.07.2020 nga gjykatësja Raima Elezi, Bytyqi u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Elezi kishte deklaruar  se vendimi u morr si rezultat i shikimit të gjithë procesverbaleve, në të cilat ishte  shënuar se objekti është i ndërtuar pa leje.

Mirëpo me aktgjykimin e Apelit i nxjerrur me 17.12.2020, të cilin ka arritur ta siguroi “Betimi për Drejtësi”, është aprovuar ankesa e të akuzuarit Enver Bytyqi, dhe është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren dhe çështja është kthyer në rigjykim.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit gjen se ankesa e mbrojtjes është e bazuar, ngase siç rezulton i akuzuari ngarkohet për periudhën kohore nga viti 2011 gjer në vitin 2017, se si person zyrtar nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e objektit ndërtimor në lagjen Jeni Mahallë, ndërsa rezulton në faqen 6 të arsyeve të dhëna për këto rrethana të fakteve se marrëveshja mbi partneritetin publiko – privat në lagjen Jeni Mahallë ishte lidhur me datë 06.02.2011, çfarë rezulton se periudha kohore për të cilën ngarkohet i akuzuari si rrethanë faktike nuk rezulton nga provat që janë administruar nga gjykata e shkallës së parë, ngase të gjitha provat i referohen periudhës 2013 – 2017, prandaj për Gjykatën e Apelit rezulton se koha e kryerjes veprës penale nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë.

Sa i përket elementit të figurës së veprës penale – mos përmbushjes së detyrës zyrtare siç është argumentuar më lartë tek shkeljet esenciale, Apeli thotë se  dispozitat e Ligjit për Ndërtim nuk i japin asnjë kompetencë personit zyrtar në cilësinë e inspektorit, ngase kompetencat e personit zyrtar në cilësinë e inspektorit rregullohen për Ligjin për Inspektoratin, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal, prandaj edhe për këtë rrethanë gjykata e shkallës së parë rezulton se nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë faktet që lidhen me elementin e figurës së veprës, që është mos përmbushja e detyrës.

Tutje në aktgjykim thuhet se  duke vlerësuar tërësinë e provave që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor rrjedh se pikërisht ndaj subjektit ndërtues në Lagjen Jeni Mahallë, i akuzuari kishte bërë inspektime të vazhdueshme që rezultojnë procesverbale të inspektimit me detyrimet për ndërprerjen e punimeve, aktvendime për eliminimin e armaturës së armiruar, kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse, aktvendime të vitit 2014 – 2015 dhe 2017 për ndërprerjen e të gjitha punimeve gjer në sigurimin e lejes së ndërtimit, kërkesat për fillimin e procedurës edhe në vitin 2017 në muajin qershor, të gjitha këto veprime rezultojnë se ishin ndërmarrë nga Drejtoria e Inspeksionit kur i akuzuari ende ishte me detyrë në cilësinë e tillë zyrtare, deri në muajin 9 të vitit 2017 kur ishte pezulluar nga detyra, të gjitha këto rrethana rezultojnë për Gjykatën e Apelit se gjykata e shkallës së parë duke mos arsyetuar dashjen dhe qëllimin e të akuzuarit si element qenësor të figurës së veprës penale, e bën të rezultojë që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë edhe në raport me dashjen dhe qëllimin të mos jetë vërtetuar në mënyrë të plotë.

Sa i përket shkeljes së ligjit penal, Gjykata e Apelit ka gjetur se përderisa janë konstatuar shkelje të dispozitave procedurale dhe gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë, posaçërisht me kompetencën e të akuzuarit siç pretendohet se nuk i ka zbatuar detyrat, rezulton edhe shkelja e ligjit penal.

Apeli në fund thotë që në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që të rishqyrtojë provat në këtë çështje penale duke vlerësuar të gjitha provat një nga një, të saktësojë detyrimet ligjore të të akuzuarit si kompetencë e tij dhe të vlerësojë mos përmbushjen e atyre detyrimeve si kompetencë, të vërtetojë saktësisht kohën e kryerjes së veprës penale, duke pasur për bazë edhe pretendimet e tjera të palëve në procedurë si dhe te arsyetoj qëllimin dhe dashjen e te akuzuarit, mbi çfarë rrethanash faktik rezulton ajo sipas detyrimit ligjor.

Po ashtu, Apeli ka kërkuar që në rigjyikim të merret në pyetje pronari i NTSH “ Shigjeta e Pashtrikut ”, për të vërtetuar saktësisht veprimet e të akuzuarit në raport me këtë ndërmarrje investuese për ndërtim.

Ndryshe për këtë rast ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 7 mijë euro gjobë.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore Prizren, më 19 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit, duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, e kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Hamiti. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply