Gazeta gjermane: “Kurti u rrëzua pasi që reformat e tij shkonin tepër larg”

0
463

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili i jep të drejtë presidentit të vendit, Hashim Thaçit për të çuar më tutje formimin e qeverisë së re të Kosovës, ka tërhequr interesimin edhe të mediave në gjuhën gjermane. Kështu, veç lajmeve të agjencive, edhe gazeta si “Neue Zürcher Zeitung” e Zvicrës dhe “Tages Zeitung” e Gjermanisë i kanë kushtuar hapësirë të gjerë këtij rasti.

Sipas gazetës “Neue Zürcher Zeitung” vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka hapur partisë së dytë, LDK-së, rrugën për të krijuar qeverinë e re të vendit. Kjo pasi që gjykata thotë se presidenti  Thaçi nuk ka bërë shkelje kushtetuese kur ka ngarkuar LDK-në, partinë e dytë për të ngritur qeverinë e re, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, sipas gjykatës, Vetëvendosje nuk pati propozuar kandidat të ri për kryeministër dhe veç kësaj, kishte kërkuar zgjedhje.

Më tutje gazeta vlerëson se në rast se do të kishte zgjedhje, VV-së dhe Kurtit u përshkruhen gjasa të mëdha për të shtuar votën, për faktin se në popull mbretëron pakënaqësi e madhe me gjendjen.

NZZ: Thaçi gëzon përkrahje të hapur nga Uashingtoni

Sipas gazetës zvicerane, shkasi i konfliktit mes Thaçit dhe Kurtit ishte qëndrimi rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, që e kërkonte Thaçi, i cili, si president, në një rast të tillë do të fitonte më shumë kompetenca. Por shkaqet janë ndërkaq më të thella.

Thaçi konsiderohet pjesë e klasës politike që zotëron mbi Kosovën që nga përfundimi i luftës dhe që akuzohet për plaçkitje të shtetit, përcjell albinfo.ch. Nga ana tjetër, Kurti, kishte për qëllim të bënte reformim të vendit dhe para së gjithash të priste rrënjët e klientelizmit në shtetin “ndoshta më të korruptuar të Evropës”, shkruan NZZ.

Në vazhdim, sipas gazetës, Thaçi gëzon përkrahje të hapur nga Uashingtoni, pasi që ndryshe nga Kurti, ai do të arrijë kompromisin e kërkuar me Serbinë. Ndërsa zgjedhjet në Serbi mnbahen në qershor dhe pas kësaj, do të duhej të rifillonte angazhimi drejt kompromisit të përmendur.

Më tutje gazeta merret edhe me idenë e shumëpërfolur për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosobvës dhe Serbisë. Autorë të kësaj ideje, thuhet të jenë dy presidentët e vendeve respektive: Thaçi dhe Vuçiq, transmeton albinfo.ch.

Nëse do të jetësohej kjo ide, atëherë kjo do të ishte hyrje në hapjen e kutisë së pandorës, shkruan gazeta. Prandaj, “nacionalisti i majtë”, siç e quan gazeta Kurtin, është vendosmërisht kundër shkëmbimit të territoreve. Kundër kësaj ideje janë shprehur edhe BE-ja dhe disa shtete anëtare të saj. Në fund edhe vetë SHBA ka përgënjeshtruar thëniet se ajo qëndron mbrapa idesë së ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve.

Sidoqoftë, në kohën kur BE ka emëruar ish ministrin e jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak si ndërmjetës për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi vazhdon të mbështesë vetëm ndërmjetësimin amerikan.

Më tutje gazeta shkruan se Kurti në ditët e kaluara ka thënë disa herë se nuk do të pengojë protestat që do të mbaheshin në Prishtinë. Përkrahësit e lëvizjes Vtëvendosje, duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, disa herë gjatë javëve të kaluara kanë mbajtur “ushtrime” për protestën e pritshme. Me atë rast është mbajtur distanca konform rregullave për mbrojtje nga koronavirusi.

Kriza politike e Kosovës tashmë po merr kthesën e saj të radhës, përfundon NZZ.

TAZ: “Kurti u rrëzua pasi që reformat që kërkonte ai, shkonin tepër larg dhe rrezikonin edhe krerë të LDK-së

Ndërsa gazeta e Berlinit “TAZ” shkeruan veç tjerash se “Qeveria reformatore e Albin Kurtit është rrëzuar pas një vote mosbesimi të iniciuar nga “Lidhja Konservatore Demokratike” (LDK), e cila kishte braktisur koaliciionin me Vetëvendosjen”.

Kurti, i cili kishte filluar të hidhte dritë mbi korrupsionin e qarqeve të vjetra politike dhe të reformojë vendin, kishte bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe kishte bërë apelin në Gjykatën Kushtetuese, transmeton albinfo.ch. Por gjykata në vendimin e saj e qartësoi se Presidenti Thaçi ka vepruar në përputhje me kushtetutën, kur ka kërkuar krijimin e një qeverie të re.

LDK, që mbështetet nga Partitë Popullore Evropiane, e udhëhequr nga Isa Mustafa, rrëzoi qeverinë e reformave nën Kurtin, sepse reformat që kërkonte ai, po shkonin shumë larg. Sipas personaliteteve të shquara nga shoqëria civile, shtresa udhëheqëse e kësaj partie edhe vetë është e përfshirë në shumë afera korruptive, shkruan TAZ.

Krahu reformues i LDK-së nën Vjosa Osmanin, e cila kishte qenë e suksesshme në zgjedhje, ishte i izoluar nga qarqet e vjetra të partisë, menjëherë pas formimit të qeverisë, përcjell albinfo.ch. Sipas sondazheve të fundit, “Vetëvendosje” mund të fitojë mbi 40 përqind të votave në zgjedhjet e reja, shkruan më tutje “TAZ”.

Leave a Reply