GAP: Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren ka realizuar të gjitha premtimet

0
700

Ardhja e LVV-së në pushtetin lokal në Prizren, e ka transformuar sektorin e shëndetësisë në këtë komunë, pasi është parë një përkushtim shumë më i madh për dallim nga qeverisjet e kaluara të udhëhequr nga PDK-ja e LDK-ja.

Riorganizimi dhe funksionalizimi i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare ka qenë njëri nga premtimet e LVV-së në fushatën zgjedhore në vitin 2017.
“Drejtoria e Shëndetësisë me qëllim të riorganizimit të departamenteve dhe njësive të kujdesit parësor shëndetësor ka rregulluar strukturën ligjore, e cila ka munguar. Janë caktuar të gjithë shefat dhe kryeshefat e departamenteve dhe të njësive. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) që nga muaji mars i këtij viti ka filluar të ofrojë shërbime mjekësore 24 orë për qytetarët e Komunës së Prizrenit. Ndërkaq QMF-të në qytet, fshatrat Reçanë dhe Zhur janë duke punuar me dy ndërrime. Në kuadër të riorganizimit është edhe krijimi i njësisë së diabetit, riorganizimi i qendrës së mirëqenies së gruas, ofrimi i shërbimit të PAP Testit dhe shërbimi i vaksinimit. Në këtë kuadër është bërë edhe ndërtimi i QMF-së së re në Romajë, e cila ka zëvendësuar objektin e vjetër që ka qenë e ndërtuar në vitet e 80-ta, si dhe ndërtimi i AMF-së së re në Lubizhdë, e cila mbulon kërkesat e shërbimeve të shëndetësisë primare për banorët e rajonit të Lubizhdës dhe Skorobishtit. Po ashtu është bërë rritja e etazhitetit të QMF-së në fshatin Zhur, i cili pas përfundimit të punimeve do të ketë hapësirë shtesë prej 250 m². Në muajin dhjetor kanë filluar punimet edhe për ndërtimin e objektit dykatësh të QMF-së në Gjonaj, i cili do të ketë një sipërfaqe prej 500 m². Punimet pritet të përfundojnë brenda periudhës 7 mujore. Që nga muaji shtator, Shërbimi Urgjent ka filluar të ofrojë edhe shërbimin e terapisë intravenoze, përkatësisht dhënien e infuzioneve në objektin e Urgjencës, ndërkaq në QMF 1 është hapur njësia e veçantë për trajtimin e sëmundjeve diabetike. Në 2020 pritet të fillojnë punimet edhe për ndërtimin e objektit të ri të QMF-së në Arbanë, ku pjesa procedurale e tenderimit ka nisur. Përveç këtyre QKMF në Prizren ka aktivizuar projektin “Family medicine online”, nëpërmjet të cilit secila QMF ka një numër të telefonit ku lajmërohet një punonjës shëndetësor dhe pacientët mund të marrin këshilla mjekësore përmes sistemit online. Nëpërmjet kësaj, punonjësi shëndetësor e pacientin (telefonuesin) e drejton të mjeku përkatës, në bazë të anamnezës së vlerësuar nga informatat që i pranon. Ky është një pilot-projekt i cili është aktivizuar për shkak të pandemisë, por pas tejkalimit të situatës pandemike ky projekt do të zbatohet si projekt i vazhdueshëm përmes një Call Center’i, i cili do të ofrojë këshilla mjekësore 24 orëshe në një të ardhme të afërt”, thuhet në raportin hulumtues të Institutit GAP.

Pajisje me mjete të nevojshme të punës të QKMF-së, ishte premtimi i dytë i LVV-së, dhe siç thuhet në raportin e GAP, edhe ky premtim është realizuar.
“Në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Komunën e Prizrenit ka filluar shërbimi i ri shëndetësor për fëmijë, analiza e “Strep Testit”. Po ashtu Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prizren është pajisur me aparaturën e re për ofrimin e shërbimeve laboratorike për analiza të hormoneve të gjëndrës tiroide (T3, T4, TSH, ATPO) dhe yndyrërave (HDL dhe LDL). Në laboratorin kryesor në QKMF ka filluar realizimi i analizave specifike, krahas atyre bazike. Analizat e reja që janë bërë janë jonogrami, hemoglobina e glikogjenizuar, tumor-markerët në të cilët futen analizave tjera. Pastaj kanë filluar që të bëhen vitaminat D3,vt.B, helikobacter pylory , pos T3 T4 DHE TSH, gamës së analizave të gjëndrës tiroide i është shtuar edhe Anti TPO . Është bërë servisimi i 5 uz, te të cilët ka pasur defekte te sondave të tyre”, thuhet në raportin e GAP.

Një tjetër premtim i LVV-së ishte edhe ofrimi i trajnimeve përkatëse për stafin mjekësor, i cili është realizuar në tërësi.
“Çdo muaj në ambientet e QKMF-së organizohen ligjërata dhe trajnime me stafin e mesëm dhe mjekët. Një grup prej 4 mjekësh, specialistë të mjekësisë familjare, janë trajnuar në Qendrën Trajnuese për Ultrazë në Tirane, për ultrazë nga Ultrosonografia e Abdomenit. Me qëllim të realizimit të projektit të minikirurgjisë, ka filluar trajnimi i mjekëve të cilët do të merren me minikirurgji. Ështe trajnuar dhe aftësuar ekipi për Kujdes Paliativ. Është trajnuar stafi shëndetësor për online psikiatri. Gjithashtu ka pasur trajnime edhe për ultrazë të gjirit, mamografi dhe elastografi”, thuhet në raportin e GAP-it.

Krijimi i shërbimit të rregullt mobil shëndetësor, ishte premtimi i katërt i LVV-së, i cili është realizuar sipas GAP-it.
“Komuna e Prizrenit ka në dispozicion shtatë autoambulanca, tri janë në sherbim të QKMF. QKMF ka bërë një plan duke siguruar shërbim shendetesor në terren 24 orë”, thuhet në raportin hulumtues të GAP-it./04 Online

Leave a Reply