Frika nga dimri, infektimet me COVID mund të rriten përsëri në Kosovë

0
259
Foto: Ilustrim

Numri i rasteve të reja të infektuara me COVID-19 paralajmërohet të rritet gjatë javëve të ardhshme. Infektologë në vend thonë se regjistrimi i një numri të madh të rasteve të infektuara në rajon, e mosvaksinimi i një numri të madh të qytetarëve, do të ndikojnë në rritjen e infektimeve në vend. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se institucionet nuk do ta ulin ritmin e angazhimit e mbajtjes në mobilizim të sistemit shëndetësor.

Shtete të shumta kanë filluar të regjistrojnë numër më të madh të rasteve të infektuara me COVID-19, si rrjedhojë edhe kanë rikthyer masat kufizuese për t’u mbrojtur nga virusi. Infektologë në vend thonë se gjatë muajve të dimrit Kosova mund të përballet përsëri me rritje të numrit të infektimeve me COVID-19. E këtu thuhet se mund të ndikojë edhe numri i madh i qytetarëve të pavaksinuar.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express se gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme edhe në Kosovë do të rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 e cila do pritet të vazhdojë gjatë muajve të dimrit.

“Të dhënat që po jepen nga Britania dhe vendet e tjera tregojnë se po rriten rastet edhe për faktin se disa shtete e kanë vaksinuar një numër të konsiderueshëm të popullsisë, megjithatë ky është një problem në nivel botërorë. Mund të ndodh që në ditët ose javët në vijim të paraqitet një numër i rritjes së infeksioneve, por nuk mendoj se do të përshkallëzohet situata në atë masë sikur që ishte në shtator. Pandemia COVID-19 do të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në qoftë se vaksinimi i popullatës nuk e ka arritur kulmin në mbi 70 për qind”, ka thënë ai.

Ramadani është shprehur se tubimet politike, numri i madh i të pavaksinuarve e i atyre që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës, mund të ndikojnë në rritjen e numrit të infektimeve.

“Një dozë e vaksinës e cila është dhënë është për t’u përshëndetur, megjithatë një dozë e vaksinës te Delta nuk është tregu efikase që ta mbrojë atë qytetarë nga koronavirusi dhe bazuar në këtë trend, në këto situata mund të ndodh që në javët në vijim të paraqitet një numër i rritjes së infeksioneve. Tani tubimet e partive politike, koha e dimrit dhe gjitha këto janë faktorë të cilët mund të ndikojnë që pandemia COVID-19 si në vendet tjera edhe në vendin tona mundet të na rritet numri i infeksioneve për faktin se nuk mund të arrijmë në atë nivelin e duhur të vaksinimit”, ka theksuar ai.

Tutje Ramadani ka thënë se interesimi për vaksinim ka rënë, derisa është shprehur se nuk duhet të mendohet se pandemia ka kaluar me uljen e rasteve të reja të infektuar.

“Mos të mendojmë se e kemi kalu pandeminë se pandemia është zhduk. Asnjë vend në botë nuk e ka përmbysë pandeminë”, ka shtuar ai

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se punëtorët shëndetësorë tashmë janë të lodhur nga situata e krijuar me pandeminë që më shumë se 1 vit.

Sipas tij, përkundër ngarkesës që kanë, ata do të vazhdojnë të japin të gjitha shërbimet shëndetësore si duhet.

Përkundër angazhimit të tyre gjatë pandemisë, Syla është shprehur i pakënaqur që qeveria i ka ulur shtesat e ndara për stafin shëndetësor. Andaj ai është shprehur se këta të fundit janë të demotivuar.

“Punëtorët shëndetësorë përveç se janë të lodhur janë edhe të ofenduar, nga qeveria dhe kjo është për të ardhur keq sepse edhe ato pak shtesa që i kanë marrë i kanë heq, punëtorët janë të demotivuar. Ne jemi duke vazhduar duke të punuar, shëndetësia nuk është vetëm pandemi”, ka deklaruar ai për Express.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se situata në Kosovë është më e qetë se kudo tjetër në Evropë.

Zëdhënës për informim në këtë ministri kanë deklaruar për Express se ndonëse situata në vend është më e mirë, kjo nuk do të thotë se institucionet do ta ulin ritmin e angazhimit.

“Këtyre ditëve situata epidemiologjike në Kosovë është më e qetë se kudo tjetër në rajon apo Evropë. Por, kjo nuk do të thotë që institucionet të ulin ritmin e angazhimeve dhe mbajtjes të mobilizuar të sistemit shëndetësor për t’iu përgjigjur çdo situate të mundshme lidhur me COVID-19. Numri i rasteve te COVID-19 varet nga mënyra se si zbatohen masat ne fuqi, nga vaksinimi dhe nga faktorë të tjerë, siç mund të jenë edhe shfaqja e varianteve të reja të SARS COV-2, kohëzgjatja e pandemisë, shkalla e imunitetit kolektiv në popullatë, etj”, kanë thënë ata për gazetën.

Kujtojmë që në shumë shtete të rajonit të cilat qëndrojnë shumë më mirë se Kosova sa i përket vaksinimit është rritur numri i rasteve të reja të infektuara me koronavirus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur më 26 tetor se numri i rasteve javore dhe i vdekjeve nga COVID-19 është rritur gjatë javës së kaluar me mbi 2.9 milionë raste dhe mbi 49 mijë vdekje të reja, një rritje përkatësisht 4% dhe 5%.

Nga OBSH është thënë se në Evropë për të katërtën javë radhazi është raportuar rritje e rasteve të reja me COVID-19 (18% rritje në krahasim me javën e kaluar).

Britania e Madhe, Rusia dhe Turqia janë raportuar si vendet më të prekura për shkak të COVID-19 në Evropë.

Britania është detyruar që përsëri të shqyrtojë masat kufizuese për shkak të rasteve në rritje me COVID-19, e nga frika se rastet e reja mund të arrijnë në 100 mijë gjatë dimrit.

Gjermania gjatë javës së kaluar ka regjistruar më së shumti raste të reja që nga muaji maj, mbi 17 mijë raste.

Rusia, Ukraina dhe Rumania është raportuar se kanë regjistruar shkallën më të lartë të viktimave në kontinent.

Tashmë disa shtete kanë kufizuar masat mbrojtëse në mënyrë që të mund ta kontrollojnë virusin COVID-19./GazetaExpress

Leave a Reply