Fondacioni gjerman: Hapet rruga për qeverinë e re, sfidat s’do të jenë të lehta

0
429

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pritet që një qeveri e re, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, të formohet shpejt. Ata në Prishtinë e parashikojnë formimin e qeverisë së re më së largu më 1 qershor.

Përpos LDK-së, AAK-ja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe NISMA e udhëhequr nga Fatmir Limaj do të jenë gjithashtu pjesë e kësaj qeverie.

Për më tepër, do të varet nga votat e përfaqësuesve të pakicave që të arrihet një shumicë e ngushtë prej 61 deri në 63 votash në kuvend (me 120 ulëse). Kjo qartazi nuk është një situatë e rehatshme në aspektin e sfidave me të cilat përballet Kosova.

Në qeverinë e re ka edhe trysni: është thyer shpresa e vendosur nga pjesa e madhe e popullsisë kryesisht të re (si dhe komuniteti ndërkombëtar) për një qeveri pa kuadrot e vjetra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për qeverinë e re nuk do të ketë greis-periudhë për shkak të gjendjes së brendshme politike shumë të polarizuar – VV-ja ndihet sikur i është vjedhur fitorja në zgjedhje.

LDK-ja përballet me dinamika të ndryshme të brendshme partiake dhe duhet të përpiqet për unitet.

Megjithatë, sfida më e madhe është përballja me efektet e pandemisë së koronavirusit në ekonominë e vendit vlerëson fondacioni gjerman Konrad Adenauer Stiftung

Industritë e rëndësishme, siç janë gastronomia, sektori i hoteleve dhe tregtia e ndërtesave, janë prekur rëndë. Për këtë arsye, është e domosdoshme të reagohet shpejt.

Grupet e interesit dhe disa ekspertë kanë drejtuar kritika nga qeveria Kurti për reagimin e ngadalshëm, që do të thotë se qeveria Hoti duhet të marrë masa të shpejta.

Sipas planeve të Hotit, qeveria do t’i shpenzojë rreth një miliard euro për luftimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia, të cilat do të vijnë nga burime të ndryshme (zvogëlimi i investimeve kapitale, të hollat nga fondi pensional dhe procesi i privatizimit, por edhe rritja e borxhit qeveritar).

Përpos luftimit të besueshëm kundër korrupsionit dhe shënimit të përparimit në sundimin e ligjit, testi i vërtetë me të cilin përballet qeveria Hoti do të jetë rivitalizimi i bisedimeve për normalizim me Serbinë.

Vendosja e taksës 100 për qind në nëntor të vitit 2018 nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka bllokuar këtë dialog.

Leave a Reply