Familje nga Durrësi strehohen në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, aty s’ka kushte për jetesë

0
47

Ka tri ditë që rreth 120 qytetarë të ardhur nga Durrësi kanë gjetur strehim në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren. Ata thonë se erdhën pa asnjë procedurë verifikimi në Kosovë, por fatkeqësisht, në vendin ku u strehuan, mungojnë kushtet elementare.

Nga paniku dhe tronditja, personat këtu kanë hasur edhe në mosmarrëveshje, të cilat shpesh ishte e vështirë të menaxhoheshin, raporton KTV.

E duke u nisur nga problemet si këto, Shoqëria civile ka përsëritur kërkesën për formimin e një shtabi emergjent, duke konsideruar se situata e krijuar në gjithë vendin mund të shndërrohet në kaos.

Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës kanë theksuar se personat e vendosur në këtë gjimnaz nuk janë të prekur nga tërmeti, por që janë sjellë në Prizren, me premtimin se do të dërgohen në Gjermani.

“Thirrjet e shoqërisë civile apo individëve, gjithmonë janë të mirëpritura, por pikërisht këtu qëndron edhe një problem. Një pjesë e konsiderueshme e personave që kanë ardhur në Kosovë, janë sjellë nga grupe apo individë, pa u konsultuar fare me Ambasadën tonë në Shqipëri, të cilët që nga fillimi kanë qenë në koordinim me ne bashkë me autoritetet e Durrësit. Këta persona janë sjellë dhe vetëm janë lënë në Kosovë, pa u kontaktuar paraprakisht e as më vonë nga institucionet e vendit dhe as pa u bërë zgjidhje nga personat që i kanë sjellë. Institucionet e vendit kanë qenë të aktivizuara që nga momenti i parë dhe po vazhdojnë të jenë të angazhuara”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit.

Nga Zyra e Kryeministrit, kanë thënë se të gjithë ata që janë identifikuar si oportunistë të situatës, do të kthehen në vendet e tyre. Ndërkohë, Kampi i Inovacionit në Prizren ku po qëndrojnë 500 persona nga Shqipëria, nuk ka kapacitet për të pranuar më shumë.

Leave a Reply