EMN: Vendimet e Kryetarit të Komunës së Prizrenit publikohen me vonesa të konsiderueshme

0
429
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

EC Ma Ndryshe ka përcjellë publikimin e vendimeve të Kryetarit të Komunës së Prizrenit në ueb faqen zyrtare gjatë gjashtë muajve të parë të këtij vitit, ku deri me datën 15.05.2020 figuron se janë publikuar 28 vendime, thuhet në Komunikatën për Medie nga EMN-ja.

“Ndërsa deri në mes të muajit korrik rezulton se janë të publikuara gjithsejtë 51 vendime, ku 23 vendime që janë nënshkruar në muajin mars të këtij viti janë publikuar në ueb faqen zyrtare me datën 14 korrik 2020.

EC ka parasysh faktin që administrata komunale mund të ketë punuar me staf të reduktuar shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia, por gjithashtu përkujton se legjislacioni në fuqi parasheh që të gjitha vendimet e Kryetarit të Komunës që ndikojnë   drejtpërdrejt në interesat e qytetarëve të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës. Njëherësh bën thirrje që vendimmarrja e Kryetarit të Komunës të publikohet me kohë, të jetë relevante, e saktë dhe e plotë, që të mund të përdoret në mënyrë  efektive. 

Krahas kësaj, vet Kryetari i Komunës së Prizrenit, pas kërkesës së aktivistëve të shoqërisë civile për hapjen e mbledhjeve të qeverisë komunale të Prizrenit, ishte zotuar se të gjitha vendimet do të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës.

Prandaj EC-i rekomandon Komunën e Prizrenit që menjëherë të ndërmerr masa për përmirësimin e transparencës lidhur me vendimet e Kryetarit të Komunës sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të ndërmarrë veprime të nevojshme për eliminimin e vonesave në publikimin e vendimeve të Ekzekutivit komunal. Gjithashtu përsërit thirrjen që Kryetari i Komunës të rishqyrtojë vendimin e tij rreth takimeve që i zhvillon me drejtorët e tij, ashtu që të lejojë pjesëmarrjen e gazetarëve dhe monitoruesve të shoqërisë civile në këto takime”, thuhet në komunikatë./04 Online

Leave a Reply