Ekspertët e procesit të integrimeve: Kosova duhet të lobojë për liberalizimin e vizave

0
239

Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por një gjë e tillë nuk po ndodhë. Njohësit e çështjeve politike këtë po e konsiderojnë të padrejtë.

Megjithatë ata thonë se duhet të vazhdohet me dialog dhe lobim tek shtetet anëtare të BE-së.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, thotë për RTV Dukagjinin se progresi në dialog është kyç sa i përket liberalizimit të vizave, marrjes së statusit kandidat për BE, qoftë edhe për avancimit tonë në organizatat multiralerale, siç janë OKB dhe NATO.

“Prandaj rëndësia e tij [dialogut] nuk bën të mbivlerësohet”, tha Shasha.

Ndërkaq njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku, po i sheh vendet anëtare të BE-së faktorin kryesor për mos liberalizimin e vizave, e jo Kosovën, apo mos plotësimin e kritereve.

“Çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht kontekst i funksionimit të Bashkimit Evropian. E, që në këtë rast tregon fragjilitetin e saj në kuptimin e vendim marrjes politike në BE. Kosova, sa i përket kritereve, siç quhen teknokratike i ka plotësuar të gjitha kriteret. Këtë nuk po e themi ne por e ka thënë një organ i BE-së, që është Komisioni Evropian, që është organi kompetent ta vlerësojë një shtet nëse i ka përmbushur ato kritere, ose jo”, tha Mazreku.

Ndryshe, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

Leave a Reply