“E kanë uzurpuar partinë”, shpërthejnë pakënaqësitë në PDK

0
380

Anëtarë të PDK-së po kërkojnë të mbahen zgjedhje të reja brenda partisë.

Partia Demokratike e Kosovës që nga 6 nëntori i vitit 2020 ushtrues detyre të kryetarit ka Enver Hoxhaj.

Ky ka marrë në duar timonin e partisë qëkur u konfirmua aktakuza ndaj Kadri Veselit.

Kjo parti në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit doli e dyta në listë me 19 karrige të siguruara në Kuvendin e Kosovës.

Ky rezultat jo fort i kënaqshëm ka nxitur reagime te anëtarë të partisë që po kërkojnë shkarkimin e kryesisë.

Ish-kandidati për deputet nga kjo parti e anëtari i këtij subjekti, Bujar Cakolli ka thënë që kryetari Hoxhaj duhet të jep përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve.

Cakolli më tej vlerëson që duhet të mbahen zgjedhje të reja brenda partisë ku do dal edhe kryesia e re.

E anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj ka thënë që individë të caktuar e kanë uzurpuar partinë.

Tutje Çelaj thekson që ka edhe të tjerë brenda PDK-së që po kërkojnë përgjegjësi për rezultatin në 3 palë zgjedhjet e fundit.

PDK mbajti mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë para një jave, aty u vendos që të mos votohet për presidente. Vjosa Osmani.

Ndër tjera në këtë takim sipas njoftimit të PDK-së, u autorizua partia për hartimin e një dokumenti strategjik për reformë të brendshme, i cili do t’i japë drejtim sjelljes sonë politike, mobilizimit për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe krijimin e frontit opozitar përballë pushtetit.

E një ndër emrat që u përfol për kryetare të kësaj partie është ai i ish ambasadores në Uashington, Vlora Çitakut.

Leave a Reply