DokuFesti online, por edhe me dy kinema të hapura për adhuruesit e festivalit

0
446

DokuFest, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër është festivali më i madh në Kosovë. Ky vit shënon edicionin e 19 të festivalit si dhe herën e parë që DokuFest vjen në një format online.

Alba Çakalli, producente e festivalit, thotë për arbresh.info se pandemia ka ndikuar tek mënyra e mbajtjes tek të gjitha festivalet.

I themeluar në vitin 2003, me qëllim të revitalizimit të kulturës së kinemasë në Prizren, DokuFest u rrit dhe u zgjerua në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të filmit dhe muzikës në Evropën Juglindore dhe prej vitit 2020 edhe festival kualifikues në BAFTA.

Çakalli flet për mënyrën e organizimit këtë vit për adhuruesit dhe garuesit e këtij festivali.

“Edicioni i 19-të i festivalit do të mbahet online. Por, do të jenë edhe dy kinema të hapura duke i respektu rekomandimet e institucioneve në lidhje me mospërhapjen e koronavirusit”, deklaron ajo.

Sipas saj, festivali do të mbahet online për audiencën në Kosovë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke treguar edhe për filmat që pritet te jenë në garë këtë vit.

“Në garë do të jenë 150 filma. Edicioni do të mbahet prej 7 gusht deri më 25 gusht. Do të jenë shtatë kategori garuese edhe pesë programe speciale. Kategoria kombëtare do të shihet edhe në Zvicër e Gjermani”, bënë të ditur Çakalli.

Deri më tani DokuFestin e kanë ndjekur rreth 60 mijë vizitorë për edicion, dhe këtë vit, për tre jave,  po planifikojnë të kenë deri në 80 mijë vizitorë online në Ballkan, dhe disa kategori edhe në Zvicër e Gjermani.

Çakalli tregon edhe se çfarë hapa duhet të ndiqen për të patur qasje online në Dokufestin e këtij viti.

“Në uebfaqen e Dokufestit duhet të krijohet llogari e veçantë dhe çmimi i biletës do të jetë dy euro, dhe kategoria DokuKids do të jetë falas”, tregon Çakalli.

Çdo vit, festivali zgjedh një temë të veçantë e cila theksohet në debateP, masterklasa, diskutime, panele dhe punëtori bashkëpunuese./arbresh.info

Leave a Reply