Dje u paraqit para Senatit, kush është amerikani që pritet të jetë ambasador i ShBA’së në Kosovë?

0
326

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Ai është paraqitur dje në Komitetin e Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, ku ka thënë se nëse emërohet ambassador, do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike, raporton Express.

Por, kush është Jeffrey M. Hovenier?

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier aktualisht është zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Nominimi i tij duhet të konfirmohet nga ana e Senatit amerikan.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.

Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.

Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvëndësonte, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett e ka uruar Hovenier për nominimin që të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Leave a Reply