“Ditë të zeza po vijnë për Kosovën”, vendi rrezikon bllokadën e dytë pa plan të rimekëmbjes

0
414
Foto: Ilustrim

Evropa është duke shkuar drejt mbylljes për shkak të shifrave rekorde të valës së dytë të pandemisë.

Franca e Gjermania kanë njoftuar mbylljen totale. Mirëpo, vendet e zhvilluara kanë njoftuar edhe infuzionet financiare për sektorin privat për të parandaluar kolapsin që mund të shkaktojë karantinimi në valën e dytë të pandemisë.

Bazuar në njoftimet zyrtare të shteteve tjera, Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë që po e zë vala e dytë e pandemisë pa kurrfarë plani të rimekëmbjes ekonomike.

Madje, Pakoja për Rimekëmbjen Ekonomike e Qeverisë së Kosovës, e miratuar rreth dy javë më parë, nuk është zbatuar ende në tërësi. Kjo pako paraprakisht ka hasur në kundërshtime të ashpra të opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Një nga pikat më të përfolura të kësaj pakoje, e cila parasheh tërheqjen e 10 për qind të mjeteve të Trustit Pensional nga qytetarët, ende nuk është vënë në funksion, raporton Insajderi.

Mungesa e një plani të rimekëmbjes në prag të valës së dytë të COVID-19, e shqetëson edhe kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin.

Sipas tij, nëse shtohen masat kufizuese ndaj Covid-19 pa zbatim të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, sektorë të ekonomisë do të shkojnë drejt kolapsit.

Ai ka thënë se shtetet që po mbyllen kanë siguruar fondet dhe buxhetet për të përkrahur sektorët e ekonomisë të cilat po goditen nga masat parandaluese anti-Covid-19.

“Shtetet qe po mbyllen prape (ne teresi, apo pjeserisht), kane siguruar fonde dhe buxhete per te perkahur sektoret qe po goditen nga masat parandaluese anti-COVID”, ka deklaruar Rukiqi në një shkrim të publikuar në Facebook të mërkurën në mbrëmje.

“E ne? As nje ligj bazik per rimekembjen, nuk po arrijme ta miratojme me jave te tera. Cdo plan per masa kufizuese te reja (nese shfaqet nevoja per to), duhet te percjellet me zbatim urgjent te Ligjit te Rimekembjes dhe me fonde shtese per perkrahje te sektoreve me te goditur. Ne te kunderten, KOLAPS”, ka thënë ai.

Teksa Qeveria e Kosovës nuk ka plan për rimekëmbjen ekonomike, në Gjermani dhe Francë është përgatitur plani për mbyllje totale.

Kancelarja Angela Merkel ka diskutuar sot me kryeministrat e landeve se si mund të pengohet përhapja e shpejtë e virusit korona.

Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë.

Prandaj fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar sot se është vendosur që vendi të ketë një bllokim të dytë kombëtar.

Masa do të zgjasë të paktën gjatë muajit nëntor.

Macron tha se duke filluar nga dita e premte, njerëzit do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për punë thelbësore ose për arsye mjekësore. Bizneset jo thelbësore, të tilla si restorantet dhe baret, do të mbyllen, por shkollat dhe fabrikat do të qëndrojnë të hapura.

Masa të reja për parandalimin e pandemisë CVOVID-19 kanë vendosur gjatë kësaj jave edhe disa vende të rajonit. Në Slloveni, autoritetet kanë marrë vendim që të ndalin udhëtimin midis komunave të vendit.

Masa do të jetë në fuqi në të gjithë vendin, nga e marta, për të paktën një javë, tha qeveria sllovene në një komunikatë të mërkurën.

Numri i rasteve të infektimit me COVID-19 është rritur ndjeshëm në të gjitha vendet e rajonit gjatë dy javëve të fundit. Në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë regjistruar mbi 1 mijë raste të infektimeve me koronavirus brenda 24-orëve gjatë, së paku, pesë ditëve të fundit. /Insajderi.org

Leave a Reply