Dënohet me një vit burgim prizrenasi që shau prindërit pasi s’ia dhanë 100 euro

0
420

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i përgjithshëm, (gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit B.M., për shkak se:

  • Më 24.04.2020, në Prizren në shtëpinë e përbashkët familjare, ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, përkatësisht ndaj të dëmtuarve – prindërve të tij, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje duke qenë nën ndikimin të përdorimit të narkotikëve, kërkon nga
    prindërit e tij para në vlerë prej 100 eurosh dhe kur këta të fundit nuk i japin para, ai në mënyrë agresive fillon t’i ofendojë, fyejë, e shajë si edhe i kanos se do ta digjte shtëpinë dhe fillon të gjuante me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë me ç ‘rast, tek të dëmtuarit shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri,
  • me këtë ka kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 par. 1 e 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Andaj gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar :

  • Dënim me GJOBË në shumën prej pesëqind (500) eurosh, të cilën shumë të dënimit i akuzuari është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimi, dhe
  • DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga 24.04.2020 e deri më 23.05.2020.

I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i vetëm gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Leave a Reply