Dënohet burri që mori para në emër të burrit të prokurores Ervehe Gashi

0
437

Gjykata e ka shpallur fajtor të akuzuarin, Rizan Hoxhaj për kryerjen e veprës së ushtrimit të ndikimit në rastin e burrit të prokurores së krimeve të rënda në Prizren, Ervehe Gashi.

Gjykata e ka dënuar Hoxhajn me gjobë 28,000 euro, dhe ia ka aprovuar kërkesën për kohë më të gjatë për pagimin e dënimit.

Gjyqtari Vesel Ismaili, i caktoi afatin prej 1 viti si afat për pagimin e dënimit dhe duke u bazuar në shumën e dënimit, i mundësoi të akuzuarit që dënimin ta paguaj me 4 këste.

I njëjti ka pranuar fajësinë, gjykata ka vendosur në bazë të marrëveshjes dhe propozimit mbi dënimin, e rekomanduar nga prokuroria dhe pala e akuzuar.

Sipas aktakuzës, Bajram Gashi burri i prokurores Ervehe Gashi, së bashku me Rizan Hoxhën kishin kërkuar nga Dardan Hoxha shumën prej 6,000 eurove me qëllim që të ndikonin tek prokurorja që i njëjti të mos akuzohej për të gjitha veprat penale për të cilat ishte duke u hetuar nga prokurorja Gashi.

Këto para sipas prokurorisë, janë kërkuar me qëllim që Bajrami të ushtronte ndikim te bashkëshortja e tij prokurore, e cila ishte duke zhvilluar procedurën penale kundër Dardan Hoxhës.Akuzat rëndojnë edhe mbi Dardan Hoxhën. Ai sipas prokurorisë i kishte dhënë shumën prej 6,000 eurosh Rizan Hoxhës me qëllim që ky t’i dërgonte këto para te Bajrami për të ndikuar te prokurorja.Në fillim të muajit prill #KallxoPernime publikoi hulumtimin që shfaqi dyshimet për njërën nga aferat e mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.Këto dyshime u paraqitën pasi Dardan Hoxha denoncoi rastin në emisionin #KallxoPernime.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro ryshfet, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.Dosja e tij, sipas hulumtimit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizan Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutuar për lëndën./KALLXO

Leave a Reply