Deklarohet i pafajshëm Ramë Vataj, akuzohet për cenim të drejtave në punësim në kohën sa ishte rektor i Universitetit të Prizrenit

0
428

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Ramë Vataj, i akuzuar se duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon të dëmtuarit Vehbi Miftarit të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi” gjyqtari gjykues i këtij rasti Fatmir Krasniqi, deklaroi se i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, duke deklaruar se e kupton për çka akuzohet mirëpo ndjehet krejtësisht i pafajshëm.

Në këtë seancë i akuzuari Vataj, ka pranuar që në këtë shqyrtimi mbrojtjen e tij ta bëjë pa avokatin e tij mbrojtës Labinot Vataj, i cili nuk ishte prezentë në këtë seancë.

Gjyqtari Krasniqi tutje deklaroi se e ka udhëzuar të akuzuarin që deri në shqyrtimin e dytë ka të drejtë që të parashtrojë kërkesën për hudhjen e  aktakuzës dhe provave të saj, ndërsa seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet me 26.01.2021 në ora 10:00.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur me 10.06.2020, Ramë Vataj akuzohet se nga 30 shtatori 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbaton vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri, me ç’rast të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”, thuhej në njoftimin e prokurorisë, për ngritjen e aktakuzës në fjalë.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar se që kjo aktakuzë ishte ngritur  për qëllime politik.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo  që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014 deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply