Dëgjohet pala e dëmtuar në rastin e tentim vrasjes në Billushë të Prizrenit

0
261

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor  ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje, Salih Gashi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, i akuzuari Gashi deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimit të dhënë më 08 janar 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e palës së dëmtuar Adem Gashi, i cili në cilësinë e dëshmitarit deklaroi se natën kritike, i akuzuari Salih Gashi ka qenë i dehur.

Tutje, dëshmitari tha se kur i akuzuari ka qenë duke ecur në drejtim të tij, i njëjti  ka shtënë me armë dhe se nuk e di a ka qenë në drejtimin tim.

“Natën kritike kam dëgjuar të shtënat me armë të cilat kanë ndodhur ku ka qenë Salihu, mirëpo nuk kam parë se gjuajtja a është në drejtimin tim”, ka deklaruar dëshmitari Adem Gashi.

Po ashtu, Gashi tha se ka dhënë një betim ai me djalin e tij se janë pajtuar, dhe kërkoi nga i akuzauri Salih, që të përmbahet dhe mos të provokon.

Pas dhënies së dëshmisë nda dëshmitari në fjalë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha njoftoi se seanca e sotme ndërpritet, e njëjta u caktuar për 18 mars 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 11 dhjetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Salih Gashi.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Salih Gashi akuzohet se më 01 nëntor 2020, rreth orës 01:40 minuta, pas mesnate në fshatin Billushë të Komunës së Prizrenit, tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin Adem Gashi nga fshati Billushë i Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Salih Gashi, pas një fjalosjeje në mes viktimës Adem Gashi e cila kishte ndodhur një orë më parë në kafenen “Qaki”, e cila gjendet në magjistralën Prizren – Zhur, i akuzuari pret që i dëmtuari ta mbyll lokalin dhe pasi që vëren se i njejti është nisur për në shtëpinë e tij e cila gjëndet në fshatin Billushë, me automjetin e tipit “Seat Ibiza”, shkon në afërsi të shtëpisë së viktimës dhe me armën e tij të zjarrit, pistoletë e tipit M-57, të cilën e kishte pasur në automjet, fillimisht shkrep një herë me të njëjtën duke e ftuar të dëmtuarin që të dalë nga shtëpia e tij.

Sipas aktakuzës kur i dëmtuari del nga shtëpia duke qenë i shoqëruar edhe me djalin e tij duke u nis në drejtim të të pandehurit, në atë moment i pandehuri shkrep edhe një herë me armën e tij në drejtim të dëmtuarit i cili arrin që të shmanget nga rreziku dhe kur i afrohet të njëjtin e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe i ndihmuar nga një person tjetër duke hipur në automjetin e tij është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri Salih Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Gashi akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si në dispozitivinë e parë të aktakuzës, i njëjti në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrit dhe atë pistoletë të tipit M-57.

Me këto veprime, i pandehuri Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Leave a Reply