Bërja publike e emrave me COVID-19, pa pëlqimin e të infektuarve është shkelje e të drejtave të njeriut

0
379

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media deklaroi se po shqyrtohet mundësia që të bëhen publik emrat e të infektuarve me COVID-19. KMDLNj mendon se ky vendim, nëse miratohet, mund të ketë qëllim të mirë në aspektin parandalues apo informues për personat e kontaktit mirëpo ia kujton kryeministrit Hoti se ky veprim, pa pëlqimin e të infektuarit shkelë Ligjin mbi Privatësinë dhe, në të njëjtën kohë paraqet shkelje të drejtave të njeriut. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi që të infektuarit, me vullnetin e tyre dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, ata vet t’i lajmërojnë personat e kontaktit. Ose, pa pasur nevojë të bëjnë publik emrin e të infektuarve mund të formohet një shërbim i cili do të kontaktonte personat e kontaktit, do t’i thërriste për t’ua bërë testin duke iu rekomanduar edhe masat mbrojtëse. Kryeministri Hoti dhe Qeveria e Kosovës duhet ta kenë të qartë se ligji i obligon ta respektojnë privatësinë e qytetarëve aq më parë që gjendja shëndetësore në të cilën gjinden nuk është shprehje e vullnetit të tyre por është i imponuar.
Vendosjen e orës policore në komunat me shumicë serbe me rekomandim të Ministria së Shëndetësisë së Kosovës pasi para saj këtë masë e kishte vendosur zëvendëskryeministri i Kosovës , Goran Rakiq e që ishte zbatim i vendimit të Qeverisë së Serbisë sepse u vendosën në të njëjtën kohë, KMDLNj e sheh si përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia kryetarin e Listes Serbe, Goran Rakiq, Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe vet kryeministrin Hoti. Deklaratat e Goran Rakiq për vendosjen e masave shtrënguese në komunat me shumicë serbe janë publike, të incizuara dhe nuk lënë asnjë mundësi për keqkuptim , aq më parë që këto janë dhënë para vendimit të Qeverisë së Kosovës e që nënkupton se Qeveria e Kosovës e ka noterizuar kundërligjshëm një vendim të Qeverisë së Serbisë. KMDLNj kërkon përgjegjësi për Goran Rakiq, ministrin Zemaj dhe kryeministrin Hoti. Për Goran Rakiq sepse në vazhdimësi , me deklarat publike por edhe me veprime konkrete punon kundër shtetit të Kosovës , për interes të Serbisë dhe për Aleksandar Vuçiq që e njeh për kryetar në ndërkohë që merr pagë dhe shfrytëzon beneficione nga taksat e taksapaguesve kosovarë. Ministri Zemaj dhe kryeministri Hoti po e mbrojnë Goran Rakiqin duke e paraqitur vendosjen e orës policore në Veri të Kosovës në mënyrë të shtrembëruar , të pavërtetë duke manipuluar me opinionin. KMDLNj është shqetësuar dhe brengosur për faktin se nuk janë pranuar në punë vullnetarët shëndetësorë të cilët e rrezikuan edhe jetën e tyre kurse u pranuan, në rrethana të dyshimta 200 punëtorë shëndetësorë e që si kriter ishte nepotizmi partiak dhe klientelizmi politikë prandaj, për t’u sqaruar deri në fund, KMDLNj kërkon hetime për këto punësime.

Leave a Reply