Asnjë rezultat nga ekspetiza për Deharin në Zvicër, 3 vjet prej se vdiq në burgun e Prizrenit

0
68

Po bëhen rreth dy vite që nga koha kur lënda për vdekjen e Astrit Deharit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për ekspertizë. Por, edhe pas tërë këtyre muajve ende janë kthyer rezultatet prej atje. Ndonëse në Prokurorinë e Prizrenit shpresonin se rezultatet do t’i kishin më së largu në fillim të tetorit, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti i ka thënë Gazetës Express se ende janë në pritje të ekspertizës.

“Referuar kërkesës dhe pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ende jemi në pritje të ekspertizës për rastin në fjalë. Andaj, për çdo eventualitet do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Mehmeti.

Ndërkohë, ditë më parë prokurori i rastit Metush Biraj i kishte thënë Gazetës Express se kanë bërë parashkresë që të shpejtohet rasti, derisa shpresonte që rezultatet të dalin gjatë më së largu në fillim të tetorit.

“Ne kemi bë parashkresë për me përshpejtu rastin, por s’kemi marrë përgjigje. Besojmë edhe shpresojmë që do të bëhet diçka në shtator apo tetor sepse është tepru”, kishte thënë Biraj për Express.

E derisa në Zvicër po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast.

Tashmë edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet si vetëvrasje, por, si “vdekje e dyshimtë”.

Kjo bëhet e ditur edhe në dokumentin zyrtar që ka siguruar Express, i dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku mësohet edhe emri i personit që do të kryejë ekspertizën.

Reagim për këtë ndryshim të referimit kanë pasur edhe familja Dehari.

“Prokuroria Themelore në Prizren më nuk e cilëson as përmes deklaratave se ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje. Tani edhe me dokumente zyrtare, me vendimin me të cilin sipas kërkesës së familjes Dehari rastin e ka dërguar për hetime të pavarura dhe në kuadër të këtyre hetimeve është kërkuar super ekspertizë nga qendra e mjekësisë ligjorë në Lozanë të Zvicrës. Tani prokuroria me këtë vendim rastin e kualifikon si “vdekje e dyshimtë”, tha për Express avokati Tomë Gashi.

Familja Dehari ka dërguar një kërkesë për të gjitha provat dhe dokumentet që ka dorëzuar në Zvicër prokuroria.

“Ne besojmë se të gjeturat nga Zvicra nuk do të duhej që të vonohen shumë nga se kanë kaluar më shumë se dy vite nga vrasja e Astrit Deharit dhe rasti do të duhej edhe juridikisht të mbyllet si vrasje dhe pastaj të gjenden vrasësit e tij”, kishte thënë Gashi.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016. Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimin se ishte pjesëmarrës në sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës në natën e 4 gushtit të atij viti./Gazeta Express

Leave a Reply