Arrin ekipi i mjekëve italianë që do të ndihmojë vendin në luftën me Covid

0
59

Ekipi mjekësor ushtarak nga Italia që do të ndihmojë vendin në luftën me pandeminë COVID-19, tashmë ka arritur në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar dje zëdhënësja e Ambasadës së Italisë në Kosovë, Arjeta Halitaj.

Ajo ka bërë me dije se shumë shpejt do të organizojnë një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

“Ekipi i mjekëve sot ka mbërritur në Kosovë dhe shumë shpejt do të organizojmë një konferencë për media”, ka thënë Halitaj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pjesë e këtij ekipi do të jenë katër mjekë.

Ndryshe, ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga Italia që të dërgojë profesionistë shëndetësor, veçanërisht mjekë të reanimacionit dhe anesteziologë për të ndihmuar vendin në luftën me COVID-19, raporton GE.

Një kërkesë të tillë, Zemaj e ka bërë në një takim që ka pasur me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Zemaj kishte njoftuar se kanë bërë marrëveshje me palën italiane për sjelljen e disa mjekëve dhe kishte falenderuar Italinë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën gjatë këtyre viteve.

“Kërkova që Italia të na ndihmojë duke na dërguar profesionistë shëndetësor, veçanërisht mjekë të reanimacionit, anesteziolog, që me përvojën e tyre të na mbështesin në këtë kohë të pandemisë. Javë më parë ne kemi bërë marrëveshje përkatëse me palën italiane për sjelljen e disa mjekëve në Kosovë për të ndihmuar në përballje me Covid19”, kishte shkruar Zemaj.

Leave a Reply