Arbenita Sopaj: Udhëtimi im akademik ka një qëllim, përfaqësimi i Kosovës në Japoni e botë

0
407

Kandidatja e vetme shqiptare për Doktoraturë, “Diplomaci Japoneze”,  As. Ligjëruese në Universitetin Kobe-Japoni, Asistente pranë “Këshillit Akademik në Sistemin e Kombeve të Bashkuara” me zyrë në Tokio, me përfundim të studimeve në Kosovë, dhe Poloni, për Integrime Evropiane, Arbenita Sopaj ,në një intervistë për Telegrafin, flet për rrugëtimin e saj drejt suksesit, vështirësitë, sfidat, sistemin edukativo arsimor në Japoni, pjesëmarrjen e saj në shumë konferenca shkencore, e cila më shumë pasion e dashuri ka prezantuar vendin e saj të origjinës, Republikën e Kosovës.

“Sekreti i çdo suksesi që njerëzit e posedojnë është vendosmëria. Si një vajzë e re ambicioze pavarësisht arritjeve aktuale, suksesin e shoh të pa limituar. Populli i Kosovës është jashtëzakonisht krenar, jo vetëm për mua, por edhe për shumë të rinj e të reja, të cilët po e prezantojnë Kosovën në mënyrë autentike në mbarë botën”, tha ajo.

Për gjithë udhëtimi e saj akademik nëpër të cilin kam kaluar, ai theksoi se ka pasur një qëllim të përhershëm, dhe ai qëllim ishte avancimi i saj si dhe përfaqësimi i dinjitetshëm i Republikës së Kosovës.

“Gjithmonë jam përpjekur dhe vazhdoj të bej çmos, si kandidate e doktoraturës që ta paraqes emrin e Kosovës nëpër organizata, institucione të ndryshme profesionale në Japoni, si dhe në vende të tjera”, tha Arbenita Sopaj, mes tjerash në intervistë, duke shtuar se mesazhi i saj për të gjithë të rinjtë shqiptar, është ai që “asnjë prej nesh, nuk ka kaluar vetëm ditë pozitive, por një gjë na ka mbajtur të qëndrueshëm, e ajo është ‘’ëndrra’’, të cilën çdo njeri prej nesh e posedon”.

Telegrafi: Znj Sopaj, jeni njëra ndër shqiptarët e rralla që veçojeni për punën tuaj dhe suksesin në Japoni. Gjatë rrugëtimit tuaj keni patur shumë sfida, vështirësitë që nga fillimi e deri të suksesi i juaj. Sa ka qenë i vështirë, ky rrugëtim?

Arbenita Sopaj: Rrugëtimi im i deri tanishëm ka pasur baticat dhe zbatica në vete, sepse çdo sfidë shpërblehej me suksesin e kërkuar. E gjithë kjo kërkonte durimin dhe kohën! Nuk është e lehtë ta quash vetën student, e sidomos në vendet e largëta, ku sistemi edukativo-arsimor është shumë më i avancuar se ai në vendin tonë, por gjithsesi është e pa diskutuar përkushtimi i pa tundur në arritjen e qëllimeve për një të ardhme më të mirë. Sfidat e mëdha, kanë qenë adaptimi i vlerësimit së studentit për dhënien e notës, puna që kërkohej për të përfunduar provimet me suksese, si dhe aplikimi nëpër shumë konferenca, kanë qenë sfidat më të mëdha nga eksperienca e pamjaftueshme.

Telegrafi: Keni përfunduar studimet në Kosovë, dhe Poloni, për Integrime Evropiane, dhe tash jeni kandidate për Doktoraturë, “Diplomaci Japoneze”, dhe po ashtu jeni As. Ligjëruese në Universitetin Kobe-Japoni.  Çka do të thotë kjo për ju, dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi?

Arbenita Sopaj: Sekreti i çdo suksesi që njerëzit e posedojnë është vendosmëria. Unë qysh në moshë të re, mbas udhëtimit të parë në Amerikë në vitin 2012, kuptova që ëndrrat e mija i përkasin globit, dhe jo vetëm Kosovës. Isha e determinuar për të arritur qëllimet e mija akademike dhe profesionale,  dhe ky vetëbesim më ka mbajtur gjithmonë të fokusuar ndaj qëllimeve të mija. Si një vajzë e re ambicioze pavarësisht arritjeve aktuale, suksesin e shoh të pa limituar.

Populli i Kosovës është jashtëzakonisht krenar, jo vetëm për mua, por edhe për shumë të rinj e të reja, të cilët po e prezantojnë Kosovën në mënyrë autentike.

Telegrafi: Me punën dhe përkushtimin tuaj, mundë të themi se jeni ambasadore e Kosovës, në vendin ku jetoni dhe punoni.  Ka qenë  e vështirë  kjo arritje e juaja , dhe kush ju ka ndihmuar më së shumti deri të ky sukses?

Arbenita Sopaj: Përmes punës së vështirë, në fitojmë përvojë, na ndihmon të zbulojmë shumë gjëra të reja. Kjo përvojë na mundëson të mendojmë më zgjuarsi për të zgjidhur një problem kritik dhe për të arritur sukses. Nuk ka rrugë të shkurtër për suksesin. Puna e vështirë është i vetmi çelës për ta arritur atë, që ne kërkojmë, na mëson disiplinën, përkushtimin si dhe vendosmërinë.

Unë u jam shumë mirënjohëse ndaj familjes sime, të cilët vazhdimisht më kanë mbështetur në idetë e mija, të cilat me kanë sjell këtu ku jam sot.

Telegrafi: Kush ju ka ndihmuar deri të ky sukses?

Arbenita Sopaj: Unë asnjëherë nuk kam qenë përfitues e ndonjë burse të shpërndara nga Qeveria e Kosovës. Gjithsesi, kjo pjesë nuk më ka zhgënjyer për të vetmin fakt, që besoj në proces dhe se gjithçka ndodh me një qëllim të largët prapa, dhe vetëm koha mund ta dëshmoj. Sidoqoftë, unë kam qenë përfituese e shume bursave jashtë Kosovës, siç është ’’EU-JAM’’ e akorduar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Japoninë, si dhe bursa ’’Visegra’’, ’’Erasmus ‘’, ‘’Mbështetja e studentëve të Universitetit Kobe 2020 ”, etj.

Telegrafi: Keni ndonjë ftesë nga institucionet e Kosovës për ndonjë  bashkëpunim të  mundshëm, dhe a jeni i/e gatshëm të ktheheni dhe të kontribuoni në vendin tuaj të origjinës?

Arbenita Sopaj: Nuk kam ndonjë ftesë konkrete, por natyrisht qëllimi i gjithë këtij suksesi është Kosova, që të mund të kontribuoj me njohuritë e përfituara gjatë gjithë këtyre viteve në Evropë, SHBA dhe Japoni.

Telegrafi: Znj. Sopaj, ju po ashtu keni qenë udhëheqëse në shumë seminare dhe kongrese të OKB-së, dhe BE-së, të cilat janë dedikuar funksionimit të këtyre organizatave.  Na tregoni pak a shumë për punën dhe përvojën tuaj në këto organizata?

Arbenita Sopaj: Kur ndoqa për herë të parë konferencën e organizuar nga Universiteti Teknik i Vjenës “MEU Vienna-2014”, isha e emocionuar, sepse ishte hera e parë dhe sigurisht emocionet e pashmangshme nga të paturit një nivel të pamjaftueshëm të gjuhës angleze, si dhe mungesa e eksperiencës.  Është shumë e rëndësishme që të përfitojmë nga pjesëmarrjet në konferenca të niveleve akademike, sepse vendi jonë ka hapësirë të mjaftueshme për t’i adaptuar. Pjesëmarrja në këtë konferencë më hapi shumë dyer. Në atë kohë isha vetëm anëtare e Parlamentit Evropian, pas 2 vitesh isha duke studiuar në Poloni, dhe me pranuan të kryesoja Komitetin e Këshillit Evropian, në konferencën “IWMUN”, të organizuar nga Universiteti i Wroclaw. Dëshira për të arritur më shumë ishte e mundur, por kërkonte durim dhe punë të palodhur. Por, gjithsesi krenaria e këtij procesi, ishte që unë përfaqësoja Kosovën tonë të dashur.

Telegrafi: Njëherit, ju keni qenë dhe do të jeni një prezantuese e shkëlqyer e Republikës së Kosovës, duke pasqyruar të arriturat e shtetit më të ri , Kosovës. A mendoni se më këtë prezantim, ju keni arritur ta prezantoni të arriturat e vendit tuaj të origjinës, pikërisht në një shtet shumë të zhvilluar si në aspektin arsimor, po ashtu edhe në atë ekonomik dhe shkencor? 

Arbenita Sopaj: Sigurisht që i gjithë udhëtimi akademik nëpër të cilin kam kaluar, ka pasur një qëllim të përhershëm, dhe ai qëllim ishte avancimi im si dhe përfaqësimi Kosovës. Kosova është në tranzicion si një shtet i ri, por kultura jonë duhet të afirmohet nga shumë vende, e të rinjtë janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Unë, gjithmonë jam përpjekur dhe vazhdoj të bej çmos, si kandidate e doktoraturës që ta paraqes emrin e Kosovës nëpër organizata, institucione të ndryshme profesionale në Japoni, si dhe në vende të tjera.

Telegrafi: Cilat janë  projektet tuaja aktuale dhe ato që  keni në agjendën tuaj të  punës për muajt e ardhshëm?

Arbenita Sopaj: Përveç studimeve të doktoraturës, si dhe pozicionin e asistencës pranë Universitetit Kobe, në maj të këtij viti fillova të punoj si asistente pranë “Këshillit Akademik në Sistemin e Kombeve të Bashkuara” me zyre ne Tokio. Aktivitetet konkrete janë botimi i artikujve shkencore si dhe recensimi i librave ne diplomacinë japoneze.

Telegrafi: Cili është bashkë punimi juaj më komunitetin shqiptarë që jeton dhe vepron në Japoni?

Arbenita Sopaj: Ambasada e Kosovës ne Tokio, me ambasador Leon Malazogu, dhe ekipi i tij i palodhshëm, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në organizimin e festave të ndryshme, veçanërisht çdo përvjetor të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ngjarjet e tilla, kanë shërbyer që ne si komunitet shqiptarë të kemi mundësin e takimeve, si dhe shkëmbimin e eksperiencave tona nëpër të cilat kalojmë çdo ditë në Japoni.

Telegrafi: Si një shqiptare e suksesshëm në shtetin e Japonisë, cili është mesazhi juaj për të rinjtë nga Kosova?

Arbenita Sopaj: Mesazhi i vetëm që do të dëshiroja t’ju përçoja të rinjve tanë, është  që pavarësisht vështirësive si ato emocional dhe financiare, mos u ndalni asnjëherë në arritjen e qëllimeve tuaja. Asnjë prej nesh, nuk ka kaluar vetëm ditë pozitive, por një gjë na ka mbajtur të qëndrueshëm, e ajo është ‘’ëndrra’’, të cilën çdo njeri prej nesh e posedon. Nëse sot nuk njiheni për vlerat dhe ëndrrat tuaja nga individ të caktuar apo institucione, një ditë çdo gjë do gjejë strehën e merituar. Suksese të pandalshme, për të gjithë ju!//Telegrafi/

Leave a Reply