Anton Quni beson që zgjidhet kryetar nga balotazhi: VV ua vodhi kohën qytetarëve të Prizrenit

0
353

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni thotë se qeverisja e Lëvizja Vetëvendosje ua ka vjedhur kohën qytetarëve të kësaj komune. Quni shprehet i bindur se kryetari i ardhshëm i Prizrenit do të përcaktohet vetëm pas balotazhit. Deputeti i LDK-së në një intervistë për Gazetën Express tha se LDK-ja do të fitojë komunat me të cilat qeverisë tash e katër vjet.

Në zgjedhjet e 2017-ës, Mytaher Haskuka i VV-së kishte arritur ta fitojë Prizrenin me 372 vota diferencë pas balotazhit me Shaqir Totajn e PDK-së.

Kësaj radhe gara për këtë qytet pritet të jetë edhe më e fortë mes tri partive politike, LDK-së, PDK-së dhe VV-së.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni thotë se Vetëvendosje e ka përmbyllur mandatin në Prizren me zhgënjime të mëdha dhe sipas tij qyetarët duhet ta penalizojnë këtë qeverisje tek kutitë e votimit më 17 tetor.

“Për katër vitet e kaluara nuk ndodhi asgjë. Ishte qeverisje joprofesionale, pa një plan konkret për të përmirësuar situatën në Prizren e aq më shumë, nuk ishin në gjendje të përmbushin edhe minimumin e premtimeve elektorale, e madje edhe të mos jenë në gjendje të shpenzojmë ndarjet financiare të cilat i takuar në baza vjetore, sipas ligjit për ndarjet vjetore buxhetore. Kaluan katër vite fillimisht me pritje të mëdha por që përmbyllet me zhgënjime të mëdha. Thjesht, qytetarëve i është vjedhur koha. Për katër vjet koha ndaloi në Prizren dhe nuk ndodhi asgjë. Vjedhja e kohës me ligj nuk penalizohet, por kjo qeveri e papërgjegjshme duhet të penalizohet me votën e qytetarëve për vjedhjen e shpresës, pritjeve dhe mundësive”, tha Quni.

“Lucky Luke”, siç njihej me nofkën e luftës në Betejen e Koshares, nuk e përjashton bashkëpunimin me ata që i sigurojnë se janë të përgjegjshëm para qytetarëve.

“Si degë e LDK-së, ne e promovojmë vlerën e bashkëpunimit me të gjithë njerëzit e besimit të mirë. Me të gjithë ata që na sigurojnë se janë të përgjegjshëm para qytetarëve, ne do të bashkëpunojmë. Nuk kam besim tek ata që kanë arritur të marrin besimin e qytetarëve por që atë besim vetëm e kanë keqpërdorur”, ka thënë Quni për Express.

Tutje, Quni tha se LDK-ja në katër vitet e ardhshme do t’ia rikthejë vendimmarrjen qytetarëve në Komunë.

“Ne jemi duke bërë përgatitjet përfundimtare të programit qeverisës, për katër vitet e ardhshme,e tashmë i kemi hartuar projektet të cilat do të shpalosen para qytetarëve në kohën e duhur. Një program gjithëpërfshirës dhe jo selektues për të gjithë qytetarët e Prizrenit, ashtu siç i përfaqëson vlerat e diversitetit vet Prizreni. Jemi duke përgatitur një program që merr në konsideratë potencialin shumë të lartë të Prizrenit, për të rikthyer tek qytetarët vendimmarrjen dhe përfshirjen e tyre, për të rikthyer transparencën e vendimeve dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve të munguara, tani e një kohë të gjatë. Unë me ekipin tim, kemi gjithë potencialin profesional dhe njerëzor që t’i shërbejmë qytetarëve prizrenas, ashtu siç e meritojnë: të kenë mirëqenie, të kenë shërbime cilësore, të jenë të përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme”, tha kryetari i degës së LDK-së në Prizren.

Sa i përket kryetarit të ardhshëm të Prizrenit, Quni u shpreh i bindur se do të zgjidhet pas balotazhit.

“Po, jam i bindur se nuk do të ketë fitues në raundin e parë. Gara do të jetë interesante pasi që Prizreni është i një rëndësie të veçantë për të gjitha partitë politike”, tha ai.

Ai mendon gjithashtu se LDK-ja do t’i fitojë komunat e Kosovës me të cilat ka qeverisur për katër vitet e kalura.

“Qeverisja e LDK-së në komunat e tanishme është dëshmuar si qeverisje e përgjegjshme, prandaj këto komuna vazhdojnë edhe në mandatin e ardhshëm të qeverisen nga subjeti ynë. Poashtu jam i bindur se edhe qytetarët e disa komunave tjera do e kenë fatin e mirë të qeverisen nga LDK-ja”, tha deputeti Quni.

Leave a Reply