Momenti kur kreu i opozitës ruse bërtet në aeroplan nga dhimbjet pasi u helmua me çaj

0
981

Mjekët rusë kanë thënë se janë duke luftuar për t’i ruajtur jetën liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, derisa ai po merr trajtim në një spital për kujdes intensiv në Siberi.

Navalny, që njihet për fushatat e tij kundër korrupsionit është sëmurë derisa ka qenë në një udhëtim me aeroplan, andaj fluturimi është ndalur në mënyrë emergjente në qytetin siberian, Omsk, ka thënë Kira Yarmysh, sekretarja për media e Fondacionit Kundër Korrupsionit, të cilin Navalny e ka themeluar më 2011. Ajo shtoi se ka supozime që diçka i është shtuar në çaj.

Një burim brenda spitalit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve, TASS se ai është duke u trajtuar për helmim.

“Ai është ende në një ventilator. Ai është në gjendje të rëndë kome. Ende nuk ka rezultate të testimit”, ka shkruar Yarmysh në rrjetin social Tëitter.

Anatoliy Kalinichenko, zëvendësshef i Departamentit të Emergjencave në Spitalin Nr. 1 në Omsk, tha se Navalny është në një gjendje të rëndë, por të qëndrueshme dhe se mjekët po përpiqen të “shpëtojnë jetën e tij”.

Megjithatë, ai theksoi se “nuk është e sigurt nëse shkaku i gjendjes së tij është helmimi”, duke theksuar se kjo është “një nga arsyet e mundshme” por po merren parasysh edhe shkaqet e tjera.

Sidoqoftë, Yarmysh beson se mjekët “fshehin informacionet dhe nuk thonë atë që dinë”, duke shtuar se brenda spitalit ka më shumë oficerë policie sesa mjekë.

Navalny, 44-vjeçar është kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në muajin qershor, ai e ka përshkruar procesin e votimit për reforma kushtetuese si “puç” dhe “shkelje të kushtetutës”.

Leave a Reply