5 destinacionet shqiptare, piktoreske, të cilat duhet t’i vizitoni në stinën e vjeshtës

0
106

Duke qenë se ne shumica nga ne kërkojmë të arratisemi nga puna apo përditshmëria jonë për një periudhë sado të vogël, do të ishte bukur të ndërmerrnim një udhëtim në një destinacion që të falë qetësinë dhe kënaqësinë njëkohësisht.

Sigurisht që në sezonin e vjeshtës më së shumti sugjerohen vende të profilit kulturor dhe panoramik, që mund të gjenden në Shqipëri dhe jashtë saj. Por, në këtë rast Triptoalbania.al ka vendosur t’ju sugjerojë disa vende brenda Shqiperisë, të lehta për t’u vizituar dhe të bashkangjitura me një përshkrim se ç’mund të zgjedhim të ndalojmë në secilin vend.

1-Vermoshi/Kelmend

Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës, në krahinën e Kelmendit.

Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i lumit të Cenit.

Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.

Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qëndrimin në bukuritë e fshatit alpin.

Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.

2-Thethi/Shkodër

Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij, ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindra turistë vendas e të huaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhet në 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri, me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht, shëtitjeve relaksuese. Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.

3-Valbona/Tropojë

Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri, në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë.

Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherësh njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut.

Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.

Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathiapomishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.

4 – Dardha/Korçë

Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, e që ngrihet në 1,350 m lartësi.

Rruga e saj të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta.

Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, ku lakrori i shijshëm i shoqëruar me rakinë e kumbullës apo me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit.

Në fundjavë fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.

5-Voskopoja/Korçë

Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të historisë së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit.

Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18-të, me në popullsi prej 30,000 banorësh.

8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat: Manastiri i Shën Prodhomit, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Thanasit apo Kisha e Shën Ilias, ku mund të admironi pikturat e mrekullueshme murale të piktorëve të famshëm korçarë, si David Selenica apo vëllezërit Zografi.

Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.

Absolutisht që vendi ynë ka vende të mrekullueshme në çdo skaj të tij, por kësaj here vendosëm të flasim për disa prej tyre, të cilat do t’i sjellim edhe më të detajuara në shkrimet e radhës.

Leave a Reply