Kosova i bashkohet SHBA-së në bojkotin diplomatik të Olimpiadës Dimërore në Kinë

0
142

Sikurse presidenti amerikan Joe Biden, që vendosi për bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë, një rrugë të tillë do ta ndjekë edhe Kosova.

Nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmuan për Gazetën Online Reporteri.net, se bojkoti diplomatik bëhet për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Kinës, dhe gjenocidit të vazhdueshëm të ushtruar nga Kina, kryesisht në Xinjiang.

“Presidentja Osmani mbështet vendimin e ShBA-së për bojkotin diplomatik ndaj Kinës. Sikurse edhe homologët e saj nga ShBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, Presidentja Osmani shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, do t`i bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin”, tha për Gazetën Reporteri.net, Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.

Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin, do të mbahen në muajin shkurt të vitit 2022.

Kupina, në përgjigjen për Reporteri.net, tha se ky bojkot diplomatik, sikurse edhe i vendeve të  tjera, nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në Lojëra, porse Presidentja e Kosovës do t’i bojktojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin.

Zyrtarët e administratës së Bidenit, konfirmuan të parët që asnjë zyrtarë amerikanë nuk do të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore, si një vërejtje ndaj Kinës që po shtypin pakicën myslimane, ojgurët, në provincën perëndimore në Xinjiang.

Gazeta Online Reporteri.net, ka biseduar edhe me Komunitetin Olimpik të Kosovës.

Jeton Rudari, që ka menaxhuar deri tash gjithë sistemin dhe paraqitjen e sportistëve, tha se deri më tash e konfirmuar është pjesëmarrja e Albin Tahirit.

Tahiri, është skitar i cili ka siguruar normat e kërkuara për të marrë pjesë në këto Lojëra Olimpike Dimërore. Ai jeton në Slloveni dhe Kosovën do ta përfaqësojë për herë të dytë në ngjarjen më të madhe të sporteve dimërore.

“I konfirmuar është Albini. Në garë janë edhe dy të tjerë, Arbi Pupovci dhe Kiana Kryeziu. Tahiri ka fituar 5 norma të ndryshme. Kiana dhe Arbri janë në garë deri më 15 janar, po presim të shohim nëse fitojnë normat e kërkuara që të marrin pjesë”, tha Rudari për Reporteri.net.

Ai ka konfirmuar se shef pjesëmarrë në gara do të jetë Bujar Tërjaka.

Me qëllim të përgatitjes dhe pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Komiteti Olimpik i Kosovës, do të përkrahet edhe me një vlerë financiare prej 56 mijë e 815 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin 2022, do të mbahen prej 4 – 20 shkurt 2022.

Bojkoti që po bëhet vlen për zyrtarët e lartë, dhe sipas Bidenit, po ashtu edhe Presidencës në Kosovë, nuk do të ndikojë te atletët që planifikojnë të konkurrojnë në Lojërat Olimpike.

Qeveria e Kinës ka qenë vazhdimisht nën kritika të ashpra edhe për trajtimin që ua ka bërë sportistëve kinez.

Për dekada të tëra, Qeveria e Kinës është përpjekur të asimilojë me forcë ujgurët në Xinjiang përmes ndalimit të mbajtjes së fesë dhe kulturës, duke i abuzuar, torturuar e dhunuar./Gazeta Reporteri

Leave a Reply