Kryeparlamentari Glauk Konjufca do të takohet sot me Raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.
Takimi do të zhvillohet në orën 11:30.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Bakoyannis u prit dje në takim edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti.
Pas takimit, Kurti ka bërë të ditur se diskutuan rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian.
Tutje, kreu i ekzekutivit u shpreh i bindur se Kosova është në rrugën e duhur për tu anëtarësuar në KE.
“Kënaqësi ta mirëpres Raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis sot në kryeministri, tre muaj e gjysmë pas takimit tonë në Kretë të Greqisë dhe 14 vjet pas vizitës së saj të fundit në Kosovë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është cak dhe proces historik për vendin tonë. Jemi të bindur që jemi në rrugën e duhur përveçse besojmë që e meritojmë të bëhemi shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare të kontinentit”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Kosovës, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Në këtë kontekst, Presidentja ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.
“Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani. /Reporteri