Këta janë deputetët që pritet të votojnë kundër Qeverisë LDK-AAK-NISMA

0
627

Qeveria e re e Kosovës, e cila është paralajmëruar se mund të formohet qysh javën tjetër, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike, do të jetë “pick” me numra, shkruan Gazeta Blic.

Nëse kalkulohen votat që aktualisht kanë grupet Parlamentare LDK (28), AAK (13) e Nisma (6) dhe minoritetet jo serbe (10), pa Listën Serbe, atëherë do t’i kenë vetëm 57 vota, të pamjaftueshme për formimin e qeverisë së re.

E, nëse kësaj i shtohet fakti se janë hiq më pak se 4 deputetë të LDK-së që s’do ta votojnë këtë qeveri, atëherë gjithçka do të varet nga Lista Serbe.

Pra, koalicioni LDK- AAK- Nisma pa Listën Serbe, vota reale i ka vetëm 53. Ndërkaq, koalicioni mund të formohet nëse këtij koalicioni i bashkohet edhe Lista Serbe, që qeveria do t’i kishte 63 vota në Kuvend.

Gazeta Blic nga burime Brenda LDK-së merr vesh se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nuk do ta votojë koalicionin me AAK-në dhe Nismën. Osmani edhe në Këshillin e Përgjithshëm ka votuar kundër këtij koalicioni.

Pos Osmanit, siç merr vesh Gazeta Blic, edhe deputeti Haxhi Avdyli nuk do ta votoj një koalicion me partinë e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt.

Janë edhe dy deputetë tjerë të partisë së drejtuar nga Isa Mustafa, që sipas burimeve të Gazeta Blic nuk do të votojnë pro një koalicioni të tillë, e ata janë deputeti Fatmir Rexhepi dhe Ardian Shala.

“Pra, aktualisht janë katër deputetë që po e kundërshtojnë një koalicion të tillë. Ata janë: Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Ardian Shala e Fatmir Rexhepi. Të gjithë këta, edhe në Këshill të Përgjithshëm kanë votuar kundër një koalicioni”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Ndërkohë, dje Gazeta Blic ka raportuar se pritet që gjatë ditës së sotme të mbahet një takim ndërmjet Isa Mustafës e Hashim Thaçit, takim ky që do t’i paraprinte dhënies së emrit të mandatarit.

Ndonëse ishte paraparë që ky takim të mbahej dje, mirëpo është shtyrë për shkak se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka probleme shëndetësore.

Leave a Reply