Kush është Kaltrina Skoro-Murtezaj? Psikologia shkollore dhe klinike që po tregohet e suksesshme

0
8212

Kaltrina Skoro – Murtezaj është Psikologe shkollore dhe klinike. Studimet bazike në Psikologji, i ka të përfunduara në Universitetin e Tetovës. Ajo mban titullin Master në Psikologji Shkollore – Arsimore dhe Master në Psikologji Klinike nga Universiteti i Tetovës.

Ka përvojë pune shtatë vjeçare në Ambulancën Specialistike të Psikiatrisë dhe Psikologjisë Klinike “Labyrinth” në Prizren ku vazhdon të punojë. Për një periudhë kohore tre vjeçare ka qenë e angazhuar në Kolegjin “Fama” në cilësinë e ligjërueses në Departamentin e Psikologjisë. Ajo poashtu këtë vit është angazhuar si psikologe shkollore në shkollën e mesme të lartë të mjeksisë “Luciano Motroni” në Prizren. Ekspertiza e saj profesionale ndërlidhet me trajtimin e varësisë nga drogat, trajtimin e çrregullimeve të ankthit, traumës, depresionit dhe fobive sociale.

Këshillim dhe Psikoterapi individuale dhe grupore për adoleshentë dhe të rritur Këshillim dhe Psikoterapi familjare dhe në çift.

04 Online: Pse keni zgjedhur pikërisht Psikologjinë të studioni?

Skoro – Murtezaj: Edhe gjatë shkollimit të mesëm kamë qenë e orjentuar më shumë nga shkencat sociale, kjo mbase lidhet dhe me profesionin e babait tim. Ai është profesor i filozofisë dhe unë kamë qenë e rrethuar me literaturë të shkencave sociale, por dhe më kanë tërhequr realisht ato libra jo se kamë pasur ndonjë imponim ose mbase dhe babi im e ka dashur shumë profesionin dhe ashtu është bërë dhe model për mua. Edhe Psikologjia si lëndë më ka pëlqyer më së shumti gjatë shkollës së mesme. Pastaj fillova dhe u fokusova akoma më shumë në librat që kishin tematikë psikologjike, dhe të them të drejtën aty e kam gjetë veten, dmth kamë menduar se unë kamë disa cilësi që duhet t’i ketë një psikologe dhe pse mos të jetë ky profesioni im i ardhshëm. Fatmirësisht, ashtu dhe ndodhi! Psikologjia është një shkencë shumë humane dhe mendoj që edhe ne vetë si profesionistë na ka ndihmuar që të menaxhojmë më mirë fillimisht sjelljet tona dhe të punojmë e reflektojmë për veten tonë, fundja s’mund të jeshë psikologe e mirë nëse ndryshimin nuk e fillon nga vetja. Të arrini të dëgjoni problemin e dikujt, ta udhëheqni drejt atij problemi, dhe t’i ndihmoni të menaxhojë mendimet dhe emocionet negative që i ka ai person, mendoj që nuk ka statisfaksion më të mirë për një profesionistë. Prandaj, pavarësisht që në kulturën tonë roli dhe rëndësia e psikologut ka filluar të kuptohet shumë vonë, unë jamë shumë e lumtur me zgjedhjen time të profesionit dhe e realizoj profesionin me shumë përkushtim dhe dashuri.

04 Online: Cili është roli i  Psikologut shkollor?

Skoro – Murtezaj: Mendoj që çdo shkollë ka nevojë të ketë psikologë, dhe per fat të mirë këtë vitë në Komunën e Prizrenit është funksionalizuar akoma më shumë shërbimi pedagogjik-psikologjik. Psikologët shkollor janë pjesë e sistemit shkollor dhe nevoja e tyre është e domosdoshme nëpër institucionet shkollore. Psikologu i shkollës ka shumë funksione, ai është zgjidhës i shumë problemeve. Psikologu i shkollës konsultohet me prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistë të tjerë për të promovuar mirëqenien mendore, arritjet apo sukseset e nxënësve. Pastaj, zhvillon programe të ndryshme parandalimi dhe intervenimi për nxënësit, i ndihmon fëmijët në zhvillimin e aftësive për zgjidhjen e problemeve të tyre. Monitoron progresin e fëmijëve gjatë rrugëtimit për arritjen e qëllimeve, vlerëson nevojat akademike dhe socioemocionale të nxënësve etj. Pra, siq po e shihni roli i psikologut shkollor është shumë i rëndësishëm.

04 Online: Çka ju ka shtyrë të përfundoni dhe një master të dytë në drejtimin Psikologji klinike?

Skoro – Murtezaj: Menjëher pas përfundimit të studimeve themelore në Psikologji kamë regjistruar studimet e ciklit të dytë në drejtimin Psikologji Shkollore, ku kamë magjistruar në vitin 2013. Gjatë asaj kohe nuk pata fatin të punësohem si psikologe shkollore, por ndërkohë u punësova në Qendrën Labirint në Prizren, ku dhe jamë ende e angazhuar. Qendra Labirint merret me parandalimin dhe trajtimin e personave që abuzojnë me substanca narkotike. Gjatë punës shtatë vjeçare në Labirint jamë aftësuar shumë profesionalisht sidomos sa i përket fushës së Psikologjisë Klinike. Ndërkohë dhe fusha e psikologjisë klinike filloj e mu bë pasion. Më pëlqen të punojë me klient, të ofrojë shërbime psikologjike, prandaj vendosa të regjistroj dhe një master të dytë në drejtimin Psikologji klinike ku kamë magjistruar në Qershor të këtij viti si dhe të kem mundësi që të licensohem edhe si Psikologe klinike, pse jo!

Puna në shkollën e mesme të lartë të mjeksisë ‘Luciano Motroni’ në cilësin e Psikologës shkollore dhe në Qendrën Labirint si Psikologe klinike më ndihmojnë jashtzakonisht shumë që të bëjë krahasime mes të njejtit profesion, edhe pse secila fushë në vete ngërthen qasje të ndryshme për të njejtin profesion dhe si të tilla çdo ditë e më shumë me aftësojnë në aspektin profesional. Për fund, dua të ritheksoj që të dyja punët i bëjë me shumë përkushtim dhe kënaqësi.

04 Online: Ju faleminderit për gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve tona.

Skoro – Murtezaj: Ishte kënaqësi, faleminderit!/04 Online

Leave a Reply