Ja si u krijua Qeveria e parë lokale në Prizren menjëherë pas luftës

0
129
Foto: Ilustrim

04 Online sjell rrëfime të padëgjuara deri më tani për krijimin e qeverisë së parë lokale menjëherë pas përfundimit të luftës. 

Gjeneratat e reja kanë pak informacione për ato që kanë ndodhur para dhe menjëherë pas luftës. Mbase, kanë pak njohuri edhe gjeneratat e vjetra se ku dhe kush kishte vendosur për krijimin e qeverisë së përkohshme. Kadri Kryeziu njihet si Kryetari i parë i Prizrenit menjëherë pas luftës. Ajo periudhë njihej si shumë sfiduese, por si e tillë ishte menaxhuar me shumë kujdes.
Adem Sallauka, në këtë periudhë ishte Sekretar i Komunës së Prizrenit. Sallauka ishte edhe pjesë e luftës së UÇK-së. Ai për herë të parë shpalos të pathëna deri më tani për qeverinë e parë lokale në Prizren. Për më shumë, ju ftojmë ta lexoni intervistën të cilën e ka realizuar ekskluzivisht 04 Online.

04 Online: z. Sallauka, ju keni qenë pjesë e batalionit të Dytë në Brigadën 123 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a mund të na tregoni më konkretisht se cili ishte roli dhe funksioni juaj?

Adem Sallauka: Lufta e UÇK-së ka patur rrjedhat e saj shumë më herët. Gjatë lëvizjes paqësore të viteve 90-të, kishin filluar edhe organizimet e para për luftë të armatosur. Në shtëpinë tonë në Prizren, në rrugën Leskovci-14, prisnim e përcillnim njerëz të armatosur që përgatiteshin për luftë, sespse lëvizja paqësore pothuajse kishte dështuar. Po përmend këtu vetëm një ndër rastet e shumta, kur na erdhën një grup i armatosur, të përbërë nga (I. Kodra, S.Lushtaku, F.Kodra etj), në pranverë tëvitit1996. Në brigadën nr.123 jam angazhuar në qershor 1998 dhe së bashku me një grup shokësh (Besim Baraliu, Idriz Hyseni, Haxhi Sallauka, Isë Kokollari, Jahir Buzhala, Sadik Halitjaha etj. etj.), kemi dhënë kontributin tonë modest, për themelimin e Batalionit të Dytë të Brigadës 123, që ndryshe njihet edhe si Batalioni i Budakovës.  Aty kam udhëhequr Togën e Inxhinierisë së bashku me Refki Gashin, Xhajl Baraliun, Hamdi Bashën, Remzi Kokollarin, etj..

04 Online: Çfarë mund të ndani me lexuesit tanë nga pjesëmarrja juaj në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK kundër forcave okupatore e shoveniste serbe?

Adem Sallauka: Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte organizimi më sublim i popullit shqiptar të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe unë jam angazhuar fillimisht në Malishevë tek Komandant “Pllumi’ F.Shala, në pranverën e vitit 1998, me detyra të caktuara. Gjatë kësaj kohe kam përjetuar ngjarje të jashtëzakonshme, por jam shumë krenar për këtë periudhë të jetë sime, pasi kemi përballuar sfida të mëdha dhe të lavdishme. Nuk do mjaftonte një libër i tërë për të rrëfyer këtë periudhë sa të lavdishme e krenare për popullin tonë.

04 Online: Si ndodhi që ju të caktoheshit njëri ndër njerzit kryesor për themelimin e Qeverisë së Përkohshme në Prizren? Kush ju caktoi dhe cilat ishin arsyet që të çuan për të pranuar atë pozitë?

Adem Sallauka: Në këtë periudhë, unë isha i angazhuar në Shtabin e Përgjithshëm, ku kam shërbyer në Logjistikë me Idriz Hysenin, dhe isha afër ngarjeve që rridhnin në ato momente dramatike. Gjatë asaj kohe të luftës ka patur etapa të ndryshme të zhvillimit të saj. Por, në dhjetor të vitit 1998, jemi kontaktuar nga Ramë Buja, ishte caktuar Ministër i Pushtetit Lokal nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili ka dhënë udhëzimet e duhura në konsultim edhe me ndërkombëtarët, për themelimin e pushteteve lokale. Besimi dhe unë u caktuam me përgjegjësi për qytetin e Suharekës dhe Prizrenit.

04 Online: Sa ishte e vështirë të punohej në themelimin e këtyre institucioneve?

Adem Sallauka: Pasi ishte nënshkruar marrëveshja e Kumanovës, mes NATO-s dhe forcave serbe, na është kërkuar që të hyjmë në Prizren dhe Suharekë dhe të punojmë në bazë të udhëzimeve që kishim marrë për themelimin e organeve komunale, sa më shpejt të ishte e mundur. Një grup prej 4 shokësh me të cilët ishim nisur për Prizren me datë 11 qershor 1999 (Besim Baraliun, Ram Rexhepallarin dhe Ahmet Shalën). Pasi kaluam ilegalisht nëpër disa fshatra, arritëm që me 12 qershor të hyjmë në Prizren. Forcat serbe po tërhiqeshin, kurse forcat e NATO-s po vendoseshin. Hyrja në Prizren ishte impozante, ndoshta edhe e pa përshkrueshme.

04 Online: Kush ju kishte urdhëruar (kërkuar) të gjeni Kadri Kryeziun, ku e takuat dhe si u emërua Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Prizrenit?

Adem Sallauka: Gjatë konsultimeve paraprake, në nëntor/dhjetor 1998, ishte vendosur nga Shtabi i Përgjithshëm i UCK-së, që Kadri Kryeziu do të jetë kryetar i Kuvendit Komunal, një ish i burgosur politik, i propozuar nga Besim Baraliu gjithashtu i burgosur politik.

04 Online: Cili ishte niveli i komunikimit me forcat e KFOR-it dhe si u vendos për pikat doganore në vitin 1999 në kufi me Shqipërinë?

Adem Sallauka: Pasi kishim hyrë në Prizren, dhe  morëm lajmin që zoti Kadri Kryeziu ishte në Shqipëri, ne u nisëm menjëherë për atje. Kadriun e kemi takuar në pikën kufitare të Vërmicës së bashku me Rexhep Morinën, Fadil Sallaukën dhe disa shokë të tjerë, dhe aty kemi filluar konsultimet për hapat e mëtejme. Po aty, në pikën kufitare kemi caktuar Bujar Bajraktarin si përgjegjës për doganën. Në ato momente konsulltimi, pjesëtarë të NATO-s janë afruar, pasi kanë vërejtur që ne po bënim organizimin e pikës doganore, dhe kanë kërkuar të bashkëpunojnë sepse ne u prezantuam tek ata si përfaqësues të organeve komunale të vendosur nga UÇK. Ky moment ka shënuar ndoshta fillimin e bashkëpunimeve institucionale me KFOR-in, në Prizren.

04 Online: Në Qeverinë e Përkohshme kishte edhe serbë lokal, cili ishte roli i tyre në këtë qeveri?

Adem Sallauka: Pas vendosjes në pikën doganore, ne kemi vazhduar për në Prizren dhe kemi bërë një vizitë në objektet e Komunës. E mbaj mend mirë që roja ka qënë një serb, me emrin Zvonko, i cili ishte i frikësuar shumë. Megjithatë unëi jam drejtuar me fjalët “mos ki frikë, ne kemi luftuar rregjimin e Millosheviçit, kurse tani do jetojmë të gjithë së bashku, të lirë dhe të barabartë”. Në ato ditë kemi filluar me themelimin e institucioneve (organeve) komunale. Fakti është që në atë qeveri të përkohshme, ka patur përfaqësues të komunitetit serb si dhe përfaqësues turq e boshnjak, emrat e të cilëve nuk më kujtohen saktësisht, vetëm dijë që drejtor i Financave ishte caktur një serb, ish drejtor i Bankes në Prizren, kurse nga përfaqsuesit turq, Sezair Shaipi, dhe nga ata boshnjak Qamajl Ismaili ( kërkoj ndjesë në nuk jam i saktë në emra). Po përmend një pjesë të Qeverisë së Përkoshme të asaj kohe: Kadri Kryeziu, kryetar, Afrim Arzuallgjiu nënkryetar, Hysni Hoxha Drejtor i Pronës, Sadik Rexha Ekonomisë, Hasan Hasani i Bujqësisë, Azem Ramadani i Inspektoriatit, Shani Berisha i Urbanizmit, Kujtim Rada ??, Islam Cakai Administratës, Njazi Shala i Shëndetësisë, Masar Shala Emergjencës, Rexhep Morina Rini-Kultur-Sport, Pakize Kiseri i Arsimit, Ratko Popoviç Drejtor i Ekonomisë.

04 Online: A ekzistonin problemet ndëretnike në Qeverinë e Përkohshme dhe nëse po, si janë menaxhuar ato?

Adem Sallauka: Si çdo fillim që është i vështirë e sidomos një fillim i pasluftës. Por, problemet ndëretnike erdhën duke u thelluar më vonë, pasi përfaqësuesit serb kishin shumë presione nga Qeveria serbe në Beograd, të cilat i detyruan ata të dorëheqeshin nga institucionet lokale.

04 Online: Po ndalemi në fillim e punës në ato ditë të vështira, Si keni arritur që t’i menaxhoni ndërmarrjet publike?

Adem Sallauka: Pasi u vendosëm në objektet e Kuvendit Komunës ishte i domosdoshëm veprimi i menjëhershëm për strukturimin e ndërmarrjeve publike, pasi ato kishin mbetur në mëshirën e kohës. Dy apo tri ditë pasi ishim vendosur në Kuvendin Komunal, unë mora një iniciativë vetanake, për t’i vizituar të gjitha këto ndërmarrje për të parë gjendjen e tyre nga afër.
Së pari kam parë fabrikën e bukës, ku me një grup punëtorësh që gjendeshin në oborrin e fabrikës (ndër të cilët kishte edhe serbë), dhe pas konsultimeve me punëtorët e takuar në oborr, u dakorduam të formonin një trup udheqës të përkohshëm për fabrikën e bukës. Më pas vazhduam me vizita në të gjitha ndërmarrjet publike, si psh: Shtypshkronjën e qytetit, Koorporatën Energjitike të Kosovës (KEK), Hidroregjionin, etj.etj. me të njëjtat qëllime që të riformoheshin sa më parë organet drejtuese nëpër këto ndërmarrje. Në të njëjtën ditë të këtyre vizitave, caktova takim me të gjithë përfaqësuesit e ndërmarrjeve për në Kuvendin Komunal. Gjatë takimit ku ishte edhe Kadri Kryeziu u morën shënime për udhëheqësit e këtyre ndërmarrjeve publike ku arritëm në një dakortësi të plotë bashkëpunimi. Nga këta udhëheqës është kërkuar një vigjilencë dhe përkushtim i jashtëzakonshëm për ruajtjen e pasurisë publike si dhe menaxhimin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

04 Online: Ishte sfidë sigurimi i bukës për qytetarët e Prizrenit, a mund të ndani ndonjë përvojë me lexuesit tanë?

Adem Sallauka: Po ndalem te sigurimi i bukës sepse është vlesësuar si një aspekt jetik për atë kohë. Më lart e përmenda që kisha takuar një grup punëtorësh në oborrin e fabrikës, në një situatë konfliktuale mes tyre, sepse në mesin e tyre kishte nga ata që kishin punuar nën masat e dhunshme të sistemit serb dhe të atyre që ishin dëbuar masivisht nga vendet e tyre të punës.  Pas ndërhyrjes për të qetësuar situatën, jam përpjekur t’u shpjegoj që bashkëpunimi mes nesh duhet të ndodhë për hir të së ardhmes së vendit tonë. Fokusi duhet të ishte në caktimin e drejtuesit të fabrikës sepse buka, ishte prioriteti kryesor në ato momente. Ishte caktuar një takim me të gjitha ndërmarrjet në ora 12.00, në Kuvendin Komunal për konsulltime  të më tutjeshme. Megjithatë në mbledhjen e orës 12.00 kanë ardhur tre përfaqësues të fabrikës dhe më informuan se drejtori i përkohshëm ishte zgjedhur. U interesuam për rezervat e miellit dhe me sasinë që kishte mbetur në depot e fabrikës. Kemi kërkuar që sasia e gatimit të bukës të dyfishohet, sepse popullata po kthehej nga Shqipëria drejt Prizrenit, si pika e parë e hyrjes për në Kosovë. Ringritja e fabrikës së bukës ishte një rast suksesi për të vijuar më pas me ringritjen e institucioneve të tjera komunale.

04 Online: Cilat ishin përparësitë e Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas luftës? Po sfidat?

Adem Sallauka: Nëse mundem të veçoj si përparësi, do thoja që organet që po themeloheshin, po e bënin këtë pa kurrëfarë presioni siç kishte ndodhur më parë nën rregjimin serb. Vullneti i qytetarëve për të ndihmuar në të gjitha aspektet e jetës ishte mbresëlënës. Mund të përmend shumë iniciativa që u morën për pastrimin e qytetit nga qytetarët e shumtë, të cilët kishin marrë masat e duhura edhe pse modeste për kohën. Nëse më lejoni tu sjell një rast kur në zyre më erdhi një qytetar të cilit i kishte shpërthyer goma e traktorit kur po pastronte mbeturinat në lagjen “28 Nëntori” dhe e pytëm se pse po e pastroje legjët tuaj, Ai u përgjigj; “ kjo është shumë pak që unë mund të bëjë për vendin tim”. Këso iniciativash ka pasur gjithandej. Sfidat padyshim kanë qënë shumë të mëdha dhe të pakuptueshme nga të rinjtë e sotëm për atë kohë. Në aspektin e arsimit, një sfidë e madhe ka qenë përpjekja për in e vitit të ri shkollor 1999/2000. Disa fshatra të Zhupës, vullnetarisht përmes intelektualëve të tyre kishin marrë iniciativën për shndrimin e shkollës nga serbe në shqipe. Fshati Gornia Sellë e kishte kthyer tërë shkollën e saj për mësimin e gjuhës shqipe, gjithashtu edhe fshati Drajçiç edhe pse kishte pak nxënës, mësimin e ndiqnin në gjuhën shqipe. Një tjetër fshat, ai Pllanjanje kërkonin që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën e të parëve pasi ata e dëshmonin me anë të dokumenteve që janë shqiptarë. Në këtë fshat atë vit janë rregjistruar 9 nxënës në klasën e parë në gjuhën shqipe, kurse 8 të tjerë në gjuhën boshnjake. Por, ka patur edhe shumë sfida të tjera në fusha e jetës; shëndetësi, siguri, mirëqenie, etj.

04 Online: Si ishte raporti i partive politike në atë kohë?

Adem Sallauka: Te ndasitë partiake nuk do të doja të ndalesha shumë edhe pse në këtë kohë partitë e reje akoma nuk ishin formuar, e kam fjalën për ato që u formuan pas lufte. Por, sikur të ishim treguar më të vëmendshëm në këtë drejtim, shumë gjëra do të kishin ecur shumë më mire, më pastaj. Pikërsisht për shkak të mosmarrëveshjeve partiake i është dhënë mundësia e formimit të institucioneve të përkoshme të UNMIK-u, mendoj unë.

04 Online: Çfarë nuk do donit të ndodhte gjatë kohës sa ju ishit në pozitën e Sekretarit të Qeverisë së Përkohshme?

Adem Sallauka: Gjendja e vështirë e sigurisë në periudhën e pas lutfës ka bërë që shumë ngjarje të ndodhnin të paparashikuara çdo ditë, si përshëmbull vrasje, plaçkitje, shkatërrim i pronës publike.

04 Online: Për çfarë nuk jeni penduar edhe tani për atë kohë?

Adem Sallauka: Nuk pendohem, përkundrazi jam krenar për veprimet që kemi ndërmarrë për të mirën e përgjithshme të popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare do të doja të kurorëzohej me një shtet të fuqishëm si nga pikpamja ekonomike, politike dhe e sigurisë. Veprimet tona të asaj periudhe, kanë qenë në përputhje të plotë me sakrificat shekullore të popullit të Kosovës. Sot, pas njëzet viteve, po t’a shikosh punën e bërë në atë kohë dhe në ato rrethana është shumë mbreslënëse, e sidomos kur të krahasohet me degjenerimin e sistemeve qeverisëse që kanë ndodhur deri tani. Nëse e krahasojmë qeverinë komunale të asaj kohe, do të shihni një profesionalizëm shumë të lartë, njerëz me dinjitet dhe kulturë kombëtare e morale për lakmi.

04 Online: Cili është mendimi juaj për situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës?

Adem Sallauka: Arritjet e pasluftës janë të mëdha në të gjitha sferat e jetës, por do kisha patur dëshirë që vendi ynë të jetë shumë më i dinjitetshëm, i zhvilluar dhe më i sukseshëm.

Hyrja ne Prizren ka qenë madhështore dhe e papërshkrueshme, sepse po përfundonte një etapë e tërë vuajtjesh e sakrificash për popullin shqiptar dhe po fillonte një jetë e re!

*SQARIM – Në këtë intervistë, jam munduar të paraqes pikëpamjet e mia personale për atë periudhë, që nuk do të thotë që ka qenë gjithçka perfekte.

Kërkoj falje për përdorimin e emrave, ose mospërmendjen e ndonjë personi që ka kontribuar në atë kohë, por për fat të keq është harruar nga unë, sepse kemi të bëjmë me një periudhë 20 vjeçare.

04 Online: z. Sallauka faleminderit që keni gjetur kohë për t’i ndarë të gjitha këto informacione me lexuesit tanë.

Adem Sallauka: Kënaqësia ishte e imja. Faleminderit juve për mundësinë./04online.info

Leave a Reply