IKD: ​Mungesa e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, pengesë për avancimin e sistemit të drejtësisë

0
230

Mungesa e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve është pengesa kryesore e avancimit të sistemit kosovar të drejtësisë drejt një sistemi llogaridhënës, me integritet dhe profesional. Kjo është e gjetur e raportit “Llogaridhënia pa progres – Analizë e (mos) zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar sot.

Raportin e ka prezantuar Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili tha se ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë që i është bërë zbatimit në praktikë të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai tha se nga 276 ankesa disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët gjatë viti 2020 dhe gjysmës së parë të vitit 2021 kanë hedhur poshtë gjithsej 233 ankesa disiplinore.

“Ajo që vije në pah nga monitorimi i IKD-së është mungesa e vullnetit për ngritjen e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila mungesë e vullnetit ka bërë që as sistemi i ri i llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve mos të jep efektet e dëshiruara… Njëra nga gjetjet e këtij raporti është trajtimi i ankesave disiplinore nga autoritetet kompetente, përkatësisht nga kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët. Mbi 80 për qind të ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve janë hedhur nga autoritetet kompetente, përkatësisht nga kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët, ajo çfarë bie në sy në këtë rast është mungesa e arsyetimeve meritore ndaj aktvendimeve me të cilat edhe hedhen ankesat disiplinore. Në anën tjetër në ato pak raste të cilat kanë shkuar në KGJK apo në KPK për hetim të mëtutjeshëm të rasteve disiplinore KGJK dhe KPK në shumicën dërrmuese të rasteve i kanë liruar gjyqtarët dhe prokurorët nga përgjegjësia disiplinore”, tha ai.

Ai tha se IKD ka gjetur se masa më e rëndë e shqiptuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në rastet disiplinore ka qenë zvogëlimi i pagës.

Shala ka pasur kritika edhe sa i përket Institucionit te Avokatit të Popullit, siç tha ai, për mos veprim në rastet e hedhjeve të ankesave disiplinore nga ana e autoriteteve kompetente.

“Aspekt tjetër jashtëzakonisht problematik në këtë drejtim është qasja që Avokati i Popullit ka pasur në sistemin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve. IAP vazhdimisht ka thënë se të njëjtit nuk kanë kompetencë për të trajtuar ankesat ndaj rasteve disiplinore, përjashtimisht nëse vet autoritetet kompetente nuk vendosin në këto raste. IKD ka avokuar vazhdimisht se bazuar në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Avokati i Popullit ka të drejtë që nëse një rast është hedhur dhe Avokati i Popullit gjen arsye se nuk është dashur të hedhet ta procedojë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës përkatësisht në Këshillin Prokurorial, mirëpo qasja e tyre ka qenë ndryshe dhe për këtë arsye IKD në një rast e ka iniciuar rastin në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila gjykatë ka konfirmuar qëndrimet e IKD-së mbi rolin e Avokatit të Popullit që ka në procesin e llogaridhënies së prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh ai.

Kritika ka pasur edhe sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, për të cilën tha se ka injoruar nevojat reale për plotësim/ndryshimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se ka injoruar komentet e shoqërisë civile.

Anesa Hoxha nga IKD, ka prezantuar rekomandimet që dalin nga ky raport, e që tha se rekomandojnë që autoritetet kompetente mos të kalojnë nivelin e kompetencës së tyre për të vlerësuar meritat e ankesës disiplinore.

“IKD ka rekomanduar që autoritetet kompetente mos të kalojnë nivelin e kompetencës së tyre për të vlerësuar meritat e ankesës disiplinore, por të kufizohen në vlerësimin nëse një ankesë disiplinore përbën çështje disiplinore. Këto autoritete të japin arsyetime meritore në vendimet e tyre lidhur me ankesat disiplinore, si dhe të vendosin brenda afateve ligjore. Autoritetet kompetente që nuk vendosin brenda afateve ligjore të mos amnistohen na KPK. Me rastin e shqyrtimit të gjendjes faktike të një rasti disiplinor, KGJK të trajtojë gjendjen faktike sipas gjithë dokumentacionit dhe mos të fokusohet vetëm në dokumentet apo provat e tjera të cilat shkojnë në favor të vetëm njërës palë. IKD rekomandon që KGJK përmes lirimit të gjyqtarëve nga përgjegjësia disiplinore mos të lejojë normalizimin e praktikave të cilat cenojnë dinjitetin dhe profesionalizimin e sistemit gjyqësor”, tha ajo.

IKD ka rekomanduar që Institucioni i Avokatit të Popullit të ushtrojë ankesa në Gjykatën Supreme ndaj vendimeve të KPK-së, në rastet kur IAK është parashtrues i kërkesës për fillimin e hetimeve disiplinore. /kp/Telegrafi/

Leave a Reply