I nominuari i LDK-së: Thaçi me këto dy parti po e bllokojnë KQZ-në!

0

Anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka një vit që u është skaduar mandati, përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar përfaqësuesit e rinj politikë të këtij institucioni.

Nga ky bllokim i punës së KQZ-së kanë pësuar edhe shumë asamblistë komunalë në gjithë Kosovën. Afër 40 asamblistë të komunave presin për t’u certifikuar, bashkë me ta edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sami Hamiti, i nominuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për anëtar në KQZ, ka thënë për “Zërin” se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbetur peng i pazareve të presidentit Thaçi me Nismën dhe Partinë Socialdemokrate. “Sigurisht se ka hyrë në pazare politike me PSD-në dhe me Nismën, që janë në koalicion tash me ish-partinë e tij (PDK-në) dhe KQZ-ja ka mbetur peng i atyre pazareve, për këtë arsye presidenti Thaçi nuk po e bën nominimin. Është duke e shkelur Kushtetutën, sepse është përgjegjës për funksionimin e institucioneve të pavarura”, ka potencuar Hamiti.

Ai u shpreh se presidenti nuk po e bën emërimin e përfaqësuesve partiakë në KQZ, për shkak se nuk po i pëlqen formula e ndarjes së vendeve në atë institucion. “Presidenti nuk po e bën emërimin, sepse nuk po i pëlqen formula e ndarjes së anëtarëve të KQZ-së. Në këtë rast sipas formulës, sipas ligjit, sipas Kushtetutës, nga dy vende u takojnë tri subjekteve që janë dalë prej zgjedhjeve të fundit që është PAN-i, LDK-ja dhe LVV-ja”, ka theksuar ai.