Hysaj e Strakosha, “yjet” kuqezinj në qendër të top-klubeve

0
25

Të reja të rëndësishme në lidhje me verën e pse jo të ardhmen e dy prej lojtarëve më të vlerësuar të Kombëtares.

Janë zyrtarisht më të shtrenjtët, Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha, përfaqësues të aromës shqiptare në Serinë A, një prej kampionateve më të forta në botë, të dy pjesë e skuadrave të orientuara drejt zonës së lartë të klasifikimit në Itali.

Elseid Hysaj është çdo orë e më pranë Romës, konfirmimi vjen natyrisht nga përtej Adriatikut, ku këtë të dielë është Gazzetta Dello Sport që i kushton një artikull shkodranit, ku jep një të re të rëndësisë maksimale. Roma tani ka edhe miratimin e vetë lojtarit, me Hysajn që e shikon kryeqytetin si destinacion të preferuar.

Drejtori sportiv i Romës, Gianlucha Petrachi, synon ta marrë Hysajn sa më shpejt që të jetë e mundur në skuadrën verdhekuqe, me mbrojtësin që te Napoli tanimë duket i tepërt. Përtej tratativave me Napolin, Roma ka marrë miratimin në parim të Hysajt për kalimin nën urdhrat e trajnerit Paulo Fonseca, një detaj shumë i rëndësishëm ky, dhe tani i duhet të punojë me klubin e De Laurentiis për të gjetur formulën dhe natyrisht edhe çmimin më të leverdishëm, me Napolin që për momentin kërkon 20 milionë euro për shërbimet e futbollistit të Kombëtares Shqiptare. Mbetet për t’u parë nëse dy klubet do të arrijnë të limojnë diferencat, edhe pse duke parë situatën janë të gjitha gjasat që të shkohet shpejt drejt gjetjes së një akordi, diçka që do t’i shkonte për shtat edhe vetë Hysajt, që për momentin është i grumbulluar me Napolin në Dimaro dhe do të ishte i interesuar për të qartësuar sa më shpejt të ardhmen e tij.

Nga Hysaj, te Strakosha. Portieri i Kombëtares është një tjetër personazh që nuk ka munguar në kronikat italiane apo edhe ato angleze të merkatos. Si një i ri i perspektivës, është folur madje edhe për interesimin konkret nga Tottenhami,  Newcastle apo edhe Arsenali ndërkohë që te Lazio janë të vendosur të mos hyjnë në diskutime për Strakoshën për më pak se 40-45 milionë euro.

24 vjecari ka postuar në profilin e tij në Istagram me fanellën e re të Lazios, sinjal ky që është transmetuar nga mediat italiane si një shenjë e qartë e qëndrimit të tij te Lazio, ku drejtuesit, pavarësisht se kanë kryer një sondazh për të parë nëse do të mund të gjenin për të një zëvendësues, janë të bindur se nuk mund të marrin dikë në lartësinë e Strakoshës si një portier i ri dhe i besueshëm. Vetë Thomasi është gati të rimarrë Lazion e tij pas dëmtimit, që e mbajti jashtë fushe për më shumë se një muaj, dhe është grumbulluar me skuadrën në Auronzo, ku Lazio po zhvillon përgatitjet e verës, transmeton SS.

Një ndër më të priturit, Strakosha është stërvitur veçmas nën mbikëqyrjen e përgatitësve Grigioni dhe Zappala. Kjo ishte stërvitja e tij e parë për sezonin e ri, me portierin që ka fituar konfidencë me fushën në kërkim të rikuperimit të problemit që ka patur në kaviljen e djathtë.

Leave a Reply