Gjykimi i Bujar Nerjovajt / Prokurori e precizon aktakuzën, mbrojtja e kundërshton, gjykata e konsideron si aktakuzë të re

0
50

Gjykata Themelore në Prizren, në seancën e së premtes, ka thënë se do të ketë aktakuzë të re në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj.

Ky vendim, ka ardhur pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku, e ka kundërshtuar precizimin e aktakuzës së bërë nga ana e prokurorit të këtij rasti, Metush Biraj, në fjalën e tij përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, zëvendësministri Nerjovaj, akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, nga fakti se derisa ishte drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Prokurori Biraj, para se të jepte fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se do ta bëjë precizimin e aktakuzës, gjegjësisht duke i fshirë gjashtë rreshtat e parë të dispozitivit, pasi në fillim është pretenduar se i akuzuari ka kryer veprën penale duke mos vepruar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa me ndryshim, sipas tij, Nerjovaj akuzohet se ka vepruar për t’ua pamundësuar inspektorëve ekzekutimin e vendimeve për rrënim.

“Në atë mënyrë që në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në vazhdimësi në periudhën kohore 2011-2013, pasi i ka nënshkruar konkluzionet e përpiluara nga inspektorët e ndërtimtarisë Ruzhdi Daka dhe Nexhmedin Musliu, nuk ua ka mundësuar që të veprojnë më tutje në ekzekutim të konkluzionit nr.., ndërsa pjesa tjetër e dispozitivit ngelet e paprekur”, tha prokurori Biraj.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Pas këtij ndryshimi, prokurori Biraj, gjykatës ia ka dorëzuar në formë të shkruar fjalën e tij përfundimtare, në të cilën ka kërkuar që i akuzuari Nerjovaj, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Por, mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku, ka thënë se nuk do jep fjalën e tij përfundimtare, pasi që, sipas tij, prokurori ka bërë ndryshim esencial të aktakuzës.

“Meqenëse, kemi këtë ndryshim esencial të akuzës, dhe fjala ime përfundimtare të cilën e kam përgatitur me shkrim është në drejtim krejt tjetër, konsideroj se nëse trupi gjykues lejon ndryshimin në këtë fazë, e cenon të drejtën e mbrojtjes. Në nenin 350 të KPPRK-së, parashihet se në rastet kur prokurori gjatë shqyrtimit gjyqësor, konstaton se provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar, ai në shqyrtimin gjyqësor mund ta ndryshon gojarisht dhe mund të propozon që shqyrtimi të ndërpritet për përgatitjen e akuzës së re. Në paragrafin 2 të këtij neni, parashihet që në rastet e ndërprerjes së shqyrtimit gjyqësor, edhe mbrojtja me kohë të pajiset me akuzën e re”, ka thënë avokati Mazreku.

Përveç kësaj, Mazreku tha se në rast se trupi gjykues e pranon këtë ndryshim të akuzës, e që sipas tij, nuk duhet ta bëj, ai ka kërkuar që duke u mbështetur në nenin 350 paragrafi 3 të KPP-së, të ndërpritet seanca për përgatitjen e mbrojtjes.

“Meqenëse në seancën e fundit kryetari i trupit gjykues, e ka konsideruar të përfunduar shqyrtimin kryesor dhe ka njoftuar se në shqyrtimin e sotëm do të jepet vetëm fjala përfundimtare e palëve, konsideroj se prokuroria është jashtë afatit për të bërë ndryshimet, edhe sikur të ishte brenda afatit, neve si mbrojtje do të duhej të na jepej afat i mjaftueshëm që të paraqesim pretendimet tona lidhur me aktakuzën, dhe eventualisht edhe përgatitjen e fjalës përfundimtare në raport me akuzën e re”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj.

Pas këtij kundërshtimi nga e mbrojtësit Mazreku, gjykatësi Xheladin Osmani, ka bërë të ditur se ky ndryshim i prokurorit, do të konsiderohet si aktakuzë e re për të akuzuarin.

“Duke pasur parasysh ndryshimet në dispozitivin e aktakuzës, të ushtruara dhe të cekura nga ana e prokurorit, këtu edhe shqyrtimi kryesor ndërpritet dhe mbrojtjes dhe të akuzuarit, i jepet kohë e mjaftuar për të paraqitur mbrojtjen. Bazuar në këto ndryshime të prokurorit të shtetit, ky ndryshim do të llogaritet si aktakuzë e re për të akuzuarin”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Seanca e radhës për këtë rast, do të mbahet më 30 maj 2019, prej orës 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply