Gjykata konstaton se ishte i ligjshëm shkarkimi i kryeshefit të “Hidroregjionit Jugor”

0
388

Prizren: Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditësit Besim Baraliu për kthim në punë si Kryeshef Ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Është konstatuar se shkarkimi i tij ishte i ligjshëm.

Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie më 27 prill të vitit të kaluar unanimisht kishte marrë vendim që  Besim Baraliu të shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj Kompanie.

Besim Baraliu i pakënaqur me këtë vendim, ka paraqitur padi pranë Gjykatës Themelore në Prizren për kthim në punë

Mirëpo Gjykata Themelore në Prizren pas disa shqyrtimeve të mbajtura lidhur me këtë rast ka ardhur në përfundim se vendimi i bordit të kësaj kompanie për shkarkimin Baraliut ka qenë në pajtim me  dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe se nuk ka mundur të konstatojë shkelje ligjore në zhvillimin e procedurës për shkarkimin e paditësit dhe padinë e paditësit e ka refuzuar si të pabazuar.

Gjykata Themelore në Prizren, në aktgjykimin e nxjerrë më 1 nëntor 2021, të cilin e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”  lidhur me refuzimin e padisë së paditësit ka arritur në përfundim se Bordi i Drejtorëve sipas nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike dhe se sipas ligjit këtë shkarkim mund ta bëjë edhe pa cekur arsyen e shkarkimit dhe pikërisht unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 27.04.2020 ka shkarkuar Besim Baraliun.

Gjykata në arsyetimin e saj, ka konstatuar se Ligji për Ndërmarrjen Publike është ligj special i cili duhet të zbatohet në rastin konkret pasi që decidivisht e parasheh emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë në Ndërmarrje Publike. Gjykata shtoi se në rastin konkret nuk mund të zbatohet ligji i punës pasi që në këtë rast është ligj i përgjithshëm e jo ligj special.

Gjithashtu sipas Gjykatës, padia e paditësit Besim Baraliu përveç se është e pabazuar, po ashtu është e pas-afatshme pasi që është paraqitur në gjykatë më datë 27.07.2020, pas 3 muajve pas largimit nga puna më 27.04.2020, që do të thotë jashtë afatit ligjor( 15+30 ditë).

Në shqyrtimet e mbajtura në Gjykatë, Besim Baraliu përmes përfaqësuesit të tij avokatit Blerim Bajrami kishte theksuar se i njëjti kishte qenë i punësuar tek e paditura Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Hidroregjioni Jugor” në Prizren në kohë të pacaktuar si Shef Ekzekutiv. Ndërsa më datë 27.04.2020, Bordi i kësaj kompanie ia kishte ndërprerë punën në mënyrë të njëanshme edhe përkundur asaj se Inspektoriati i Punës e kishte kthyer në vendin e punës, këtu e paditura nuk e ka respektuar vendimin e Inspektoriatit dhe si pasojë e kësaj, i njëjti kishte pësuar dëm material dhe jo material./Betimi për Drejtësi

Leave a Reply