Fundjava me reshje të reja bore në shumë pjesë të Kosovës!

0
238

Cikloni i fuqishëm nga Adriatiku pritet të depërtojë në Evropën juglindore duke sjellur reshje të reja të fuqishme shiu e bore. Në Shqipëri priten reshje të reja të dendura shiu. Në viset kodrinore-malore në juglindje, lindje, verilindje dhe veri të vendit priten reshje të dendura bore. Reshje të dendura bore priten edhe në veri të Malit të Zi, Luginë të Preshevës dhe viset kodrinore-malore në perëndim dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.

Nëpër ultësirat e Maqedonisë së Veriut mund të paraqiten reshjet e borës, por ende pa ndonjë skenar të vërtetë dimëror. Reshje të dendura bore më shumë gjasa kanë ultësirat e Luginës së Preshevës, disa viseve të Republikës së Kosovës dhe veriu i Malit të Zi. Viset kodrinore-malore të Kosovës pritet të përfitojnë reshje të dendura bore gjatë kësaj fundjave, por disa ultësira të Dukagjinit ende janë pikëpyetje nëse do të ketë reshje bore ose jo.

Pas qetësimit të përkohshëm të motit do të fillojnë të fuqizohen erërat juglindore si pasojë e afrimit të ciklonit të fuqishëm. Pastaj pritet të fillojnë reshje shiu e bore varësisht nga lartësia mbidetare dhe temperaturat. Viset mesdhetare të Shqipërisë dhe shumë ultësira të shtetit amë duhet të presin ndonjë shansë tjetër eventuale për reshje bore.

Të shtunën rrymimet ajrore pritet të jenë nga jugu dhe shumica e reshjeve në Kosovë pritet të jenë në formë shiu, kurse të dielën do të ketë ulje të temperaturave ngase erërat do të fillojnë të fryjnë nga veriu. Në shumicën e territorit do të ketë reshje bore, vende-vende intensive sidomos në viset kodrinore-malore.

Pasiqë cikloni pritet të largohet në drejtim të lindjes duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, qendra ciklonike pritet të përfshijë Karpatet dhe për këtë arsye fqinji ynë verior pritet të përfshihet nga reshje të dendura bore dhe stuhi dëbore me erëra të fuqishme veriperëndimore. Pritet të jetë kjo bora e parë e madhe nëpër ultësirat e Serbisë duke përfshirë edhe Beogradin pas një kohe të gjatë pa borë.

Pra, reshjet më të dendura të borës nga ky ciklon pritet të jenë në Serbi, pastaj në Bosnjë dhe Hercegoinë, Mal të Zi e pastaj në Kosovë, ndërsa Shqipëria përfiton reshje të fuqishme shiu sidomos jugu i vendit ku mund të ketë edhe vërshime./MeteoBallkan

Leave a Reply