Këto janë ilaçet natyrale për lëkurë, flokë dhe thonj

0
521

Kujdesi për lëkurë, flokë e thonj është shumë i rëndësishëm, mirëpo, meqë çmimet e produkteve janë të larta, një gjë e tillë mund të duket shumë e vështirë. Andaj, mënyra më e përshtatshme është të përdoren produktet natyrale, që, përveçqë janë më të lira janë edhe më të shëndetshme

Përdoreni vajin e ullirit për largimin e grimit

Ndonëse mund të tingëllojë kontroverse, meqë vaji është i njohur si armik natyral i lëkurës, vaji i ullirit mund të përdoret për largimin e yndyrës së tepërt nga lëkura. Për më tepër vaji i ullirit e largon edhe grimin, duke ju lënë me lëkurë të freskët.

Krijoni krem duarsh nga qumështi i kokosit

Nëse e lini qumështin e kokosit në frigorifer për 2-3 ditë, qumështi në fjalë do të trashet dhe nga ai do të krijohet një lloj kremi për duar. Pasi që të trashet, qumështi i kokosit mund të përdoret për trajtimin e duarve, sidomos nga femrat që kanë lëkurë të thatë.

Krijojeni zbutësin e përkryer, me sheqer dhe mjaltë

Sheqeri mund të jetë në ‘listën e zezë’, të ushqimeve, mirëpo ai është shumë i rëndësishëm për lëkurën. Krijoni një zbutës të thjeshtë, natyral, duke përzier sheqerin ngjyrë kafe me mjaltë, për ta përdorur më pas përzierjen për largimin e qelizave të vdekura në një kohë të shkurtër.

Rregullojini majat e flokëve me çaj kamomili

Kamomili, përveçqë është një pije qetësuese, mund të përdoret edhe për ‘qetësimin’ e flokëve tuaj. Vlojeni pak çaj kamomili, lëreni të ftohet dhe më pas zhytni flokët tuaj në të. Si rrjedhojë, majat e çara të flokëve tuaj do të qetësohen dhe flokët tuaj në përgjithësi do të rigjallërohen.

Përzierja, që ju ndihmon të fitoni thonj më të fortë

Përzieni sasi të njëjtë të birrës, vajit të ullirit dhe uthullës së mollës, për ta krijuar një përzierje, që ndikon në forcimin e thonjve tuaj, vetëm pesëmbëdhjetë minutave pasi që t’i keni trajtuar.

Jogurti për trajtimin e fytyrës  

Pothuajse sa herë flitet për jogurtin përmenden bakteret e mira që gjenden në të, e, ngjashëm me përfitimet që i ka stomaku juaj, mund të përfitojë edhe lëkura, nëse e aplikoni jogurtin në të. Thjesht, vendoseni jogurtin në lëkurën e fytyrës, si maskë, dhe pastrojeni pas pesëmbëdhjetë minutash.

Krijoni shampon nga të bardhtë e vezës

Nëse i tundni shumë të bardhtë e vezëve, sa për t’u trashur masa, do ta fitoni një shampon fantastik, që largon papastërtitë nga flokët tuaj. Aplikojeni përzierjen e fituar në flokë dhe pastrojini flokët me ujë të ftohtë, pasi që uji i nxehtë mund të ndikojë në zierjen e pjesshme të vezëve, në flokët tuaj.

Balsami natyral i flokëve krijohet nga avokado

Avokado, përveç shijes mbresëlënëse që ka, është shumë i rëndësishëm edhe për trajtimin e flokëve. Thjesht, përzieni pak avokado të shtypur me sasi të njëjtë të majonezës, për të krijuar kështu balsamin për flokë.

Trajtojeni lëkurën përreth thonjve me mjaltë dhe vaj ulliri

Përzierja e mjaltit me vaj ulliri ndikon në krijimin e një kremi të shkëlqyer për trajtimin e lëkurës përreth thonjve. Thjesht, pasi t’i keni përzier sasinë e njëjtë të vajit të ullirit dhe mjaltit, përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurën përreth thonjve dy herë në javë, duke e lënë të qëndrojë për pesë minuta.

Ngjyrosni flokët me kafe!

Përgatiteni kafenë, siç bëni kur e keni ndërmend ta konsumoni dhe, pasi që ta keni lënë të ftohet për disa minuta, zhytni flokët tuaj në të duke i lënë të qëndrojnë për 30 minuta. Kafeja funksionon në mënyrë të njëjtë me ngjyrën e zakonshme vetëm se, përdorimi i kafesë për ngjyrosjen e flokëve ju kursen shumë para.

Leave a Reply