Dy të vdekur në Klinikën Infektive nga gripi sezonal

0

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, dy pacientë në Klinikën Infektive, kanë vdekur si pasojë e prekjes nga gripi Influenca A.

“Sot më 22.01.2019 nga Klinika Infektive janë raportuar dy raste vdekjesh me Influenca A, një prej tyre me subtipin AH1pdm09. Pacientet kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal”, thotë IKSHP-ja në njoftimin për media, raporton Koha.net.

Ky institut thotë se është duke e përcjellë me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Kosovës duke intensifikuar punën në terren.

Nga 1 tetori 2018 deri sot, në IKSHP thonë se janë raportuar gjithsej 18.736 raste të dyshimta në grip, 3.233 raste me infeksione respiratore akute dhe 19 raste me infeksione të rënda respiratore akute.

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numri më i madh i rasteve raportohet nga komunat Prishtinë, Prizren dhe Podujevë, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Gjatë javës së 2-të (07.01.2019-13.01.2019) janë raportuar 1.617 raste ILI dhe 319 raste ARI dhe 3 raste SARI.

“Në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK janë testuar gjithsej 127 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 19 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Nga 19 raste pozitive në 3 mostra është bërë subtipizimi dhe i takojnë subtipit AH1pdm09”, thotë IKSHP-ja.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 7 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI).

“Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina. Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen që të vaksinohen”, thotë IKSHP-ja.

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve.