Dua Lipa: Të ndryshojmë stigmën ndaj shqiptarëve

0
619

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa dha një mesazh të fortë gjatë konferencës për mediat para koncertit që pritet të mbahet sonte në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Gjatë konferencës me kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj, ajo tha se duhet të ndryshohet stigma ndaj shqiptarëve, lidhur me përcaktimet ofenduese dhe raciste nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman.

Ajo theksoi se shqiptarët duhet të pranohen si rezidentë në çdo shtet që mund të shkojnë, pa u përballur me situata të pakëndshme.

“Turi ka shku shumë mirë, 94 paraqitje bëhen sonte. Jam e emocionuar dhe mezi po pres me pa se çfarë do të ndodhë. Është një fatkeqësi e madhe si shihemi ne në sytë e politikanëve të tjerë, janë fjalë të pakëndshme, mendoj që kemi nevojë me luftuar ksenofobinë në botë, nga të gjitha racat, është e nevojshme, ne duhet ta ndryshojmë stigmën që kanë njerëzit ndaj shqiptarëve, kjo është ajo që mund të bëjmë, pak e nga pak. Kemi nevojë të pranohemi si rezidentë në çdo shtet ku mund të shkojmë, është shumë e rëndësishme të hiqen stigmat”, tha Dua.

Pas mbylljes së turit “Future Nostalgia”, Dua tha se do të vijojë të punojë për albumin e saj të tretë dhe se nuk do të ketë periudhë pushimi.

“Periudhë pushimi nuk kam pas qysh 7 vjet, po mendoj që sonte që përfundon turneu, kam disa kohë intensive në studio me përfundu albumin e tretë”, tha artistja.

Këngëtarja gjatë konferencës dha edhe detaje në lidhje me koncertin falas që nis sonte në orën 19:00.

“Show është i njëjtë, atë që kam bërë përreth botës. Ka qenë me rëndësi që ne kemi kulturë tonën dhe ne si shqiptarë jemi krenarë, ne kemi të drejtën që duhet të krenohemi”, tha Dua.

Në lidhje me pyetjen se sa pasaporta ka, ajo u shpreh se ka dy, atë angleze dhe tashmë edhe shqiptaren, të cilën e mori një ditë më parë.

“Një të Shqipërisë dhe një të Anglisë, ndihem shumë e emocionuar. Mezi po pres me festu 110 vjetorin e pavarësisë me ju sonte”, tha Dua.

Kujtojmë se Dua Lipa do të performojë sonte në sheshin“Skënderbej” në Tiranë, në 110 vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë, duke shënuar kështu edhe përmbylljen e turneut të saj botëror./TCH

Leave a Reply