Drejtoria e Shëndetësisë apelon për kujdes të shtuar ndaj temperaturave të larta

0
30

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë këto ditë ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut, sidmos te të moshuarit, njofton Drejtoria e Shëndetësisë.

“Drejtoria e Shëndetësisë, në tërë rrjetin e saj, është në gjendje gatishmërie për t’i ofruar ndihmë mjekësore për të gjithë banorët e Komunës së Prizrenit, të cilët eventualisht mund të preken nga temperaturat e larta, njëherit njofton se për raste emergjente mund të kontaktojnë në numrin e shërbimit urgjent 194.

Drejtoria e Shëndetësisë po ashtu njofton se disa nga masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

1. Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 11:00-16:00, sidomos të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;

2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall, rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelëta;

3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;

4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;

5. Paraqitja e kokëdhimbjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharrjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarit, sidomos kur janë të sëmurë dhe kanë paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente”, thuhet në njoftim./04online.info

Leave a Reply