Për dallim nga shumë prej Nëntorëve të viteve të kaluara ku reshjet e borës ishin shumë të rralla ky Nëntor ka disa shenja serioze se mund të jetë paksa më ndryshe.
Shenjat ishin shumë kohë më parë nëpër modele kompjuterike por vendosëm ti injorojmë për shkak të ndryshimeve të mëdha nga momenti i parashikimit deri në momentin e ardhjes së datës së caktuar ku zakonisht modelet parashohin mot ekstrem, ndërsa me afrimin e datës së caktuar gjithnjë ndodhë “zbutja e ekstremeve” të ndryshme.
Sidoqoftë, kësaj radhe gati të gjitha modelet globale kompjuterike për parashikim të motit japin një goditje dimërore këtë fundjavë në rajonin tonë dhe normalisht edhe në territoret tona.
Si fillim kemi një bllokadë anticiklonike larg në Atlantik, pastaj zhvillime të cikloneve të fuqishme në Skandinavi dhe ardhjen e sistemeve frontale dhe ajrit të ftohtë deri në Ballkan ku kemi ciklone sekondare. Pra, këto masa ciklonike me frontet e ftohta pasuese vijnë më lehtë drejt territoreve tona pikërisht duke i u falënderuar anticiklonit të madh në Atlantik
Kjo gjendje sinoptike është ideale për reshje bore dhe nuk ndodhë shpeshherë edhe pse mund të jemi në mes të dimrit.
Në fund të theksojmë edhe njëherë se ndryshime ende mund të ketë, por “goditja dimërore” është shumë afër. Për momentin nuk mund të themi asgjë për kohëzgjatjen dhe fuqinë e saj dhe për këtë do të presim deri në sqarimin e plotë të situatës sinoptike nga modelet e parashikimit të motit./MeteoBallkan