Ceballos nderon Realin në transfertën e Betisit

0

Reali i Madridit arriti të merrte tri pikë me shumë vështirësi në fushën e Betisit, ku deri pak minuta para përfundimit të takimit, rezultati ishte mbërthyer në shifrat 1-1, por Ceballos me shënoi golin e fitores pak minuta para fundit.

Luka Modric, i shumëpërfolur për një transferim të mundshëm në Serinë A, tek Interi apo Juventusi, shënoi një gol të bukur në minutën e 13-të, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Lopez.

Gjithsesi, “Los Blancos” treguan dobësi në lojë, teksa në minutën e 67-të Canales barazoi shifrat.

Skuadra andaluze pati disa mundësi të mira me kundërsulm për të realizuar një tjetër gol, që do t’u jepte fitoren, por për të shpëtuar nderin e skuadrës “merengues” mendoi Ceballos në minutën e 88-të, me një ekzekutim të zgjuar të një goditjeje dënimi.

Reali me këtë trepikësh ngjitet në vendin e katërt me 33 pikë, aq sa ka edhe Sevilla e vendit të tretë. Gjithsesi Barcelona kryeson me 10 pikë më shumë se madrilenët.