Fillon aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”

0

Edhe zyrtarisht ka nisur aksioni ta pastrojmë Kosovën, i cili po zhvillohet në 35 komuna dhe në të cilin po marrin pjesë mbi 100 mijë persona.
Aksionit iu kanë përgjigjur përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Ai nisi në deponinë më të madhe në Prishtinë, e cila do të bëhet park për fëmijët.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se po e nisin aksionin për ta pastruar Kosovën, pasi për dy dekada është gjuajt mbeturina në gjithë vendin.

Haradinaj: Nuk do të lejojmë të gjuajnë mbeturina

“Për dy dekada është gjuajt mbeturina në gjithë vendin. E fillojmë dhe nuk do të ndalemi pa e kryer por pasi ta kryejmë heqjen e mbeturinave, nuk do të lejojmë të gjuhet mbeturina më kështu. Në vendin ku jemi sot do të kthehet në park, pra do të jetë një park për fëmijët dhe rininë “, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë të këtij aksioni.

Matoshi: U bëjmë thirrje të gjithëve të bëhen pjesë e aksionit për pastrim
“Informatat që i kemi tash, e njëjta situatë është në të gjithë Kosovën, mbi 35 komuna të Kosovës që i kanë dërguar agjendat e tyre, kryetarët e komunave janë në krye të aksionit dhe po presim që mbi 100 mijë vetë sot në tërë Kosovën të jenë pjesë e këtij aksionit të pastrimit. I bëj thirrje të gjithë të tjerëve që të bëhen pjesë e tij”, tha ai.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës po dëshmojnë se janë në përkrahje të iniciativave për mjedisin dhe pastërtinë, por në radhë të parë të kemi një jetë të qëndrueshme.

Klosi: Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë aksione të përbashkëta

“Përpjekjet që do të ndërmarrim sot është fillimi i një fushate që ne duam ta ndërmarrim gjatë gjithë vitit të ardhshëm për të pasur në të dyja anët e bjeshkëve një ambient të pastër, një zonë turistike të qëndrueshme, e në radhë të parët ë kemi mirëqenie për qytetarët. Mendoj që puna për mjedisin është puna për jetën më të mirë. Andaj sot jam këtu me një grup të rinjsh nga Shqipëria që duam të mbështesim këtë aksion… Ne duhet të kemi aksione të përbashkëta që të dyja anët e bjeshkëve i paraqesin si zona të pastërta, me zhvillim të qëndrueshëm ambiental, por edhe zona me potenciale të jashtëzakonshme turistike. Do të vazhdojmë të kemi operacione të përbashkëta”, tha ai.
Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”, tha se Kosova është ndër shtetet që e ka organizuar më së miri ditën e pastrimit pasi gjithë ky mobilizim është model për shumë vende në rajon dhe Evropë.

Hasanaj: Mbi 100 mijë njerëz janë duke pastruar

“Sot deri më tani kemi informata që aksioni ka filluar në gjithë komunat e Kosovën. Pra mbi 100 mijë njerëz janë duke pastruar kështu siç ne sot dhe kështu do të vazhdojmë për tre muaj dhe iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që këtë që po e bën qeveria, të cilën deri më tani e kemi kritikuar që nuk është në nivelin më të mirë të detyrës, këta po e japin provimin, tani është roli jonë që ta mbajmë Kosovën të pastër dhe ta bëjmë Kosovën një vend që të gjithë e duam”, tha ai.