Osman Hajdari i jep fund pritjeve dhe radhëve të gjata para sporteleve në administratën komunale

0

Radhëve të gjata e të mundimshme për nxjerrjen e një dokumenti në Administratën Komunale në Prizren i ka ardhur fundi.

Kjo drejtori e cila është duke u menaxhuar nga Osman Hajdari, për pak muaj e ka transformuar në tërësi, duke funksionalizuar e bërë disa ndryshime në sektorët kryesor të saj. Aplikimi, kërkesat për nxjerrje të dokumenteve, pagesat dhe pritja në radhë kanë qenë disa nga ankesat e qytetarëve të Prizrenit, dhe për këtë arsye drejtori Hajdari është përkujdesur që këto probleme të sanohen. Si rjedhojë, nga 1 shtatori ka filluar sistemi digjital i menaxhimit të radhës për të gjithë qytetarët që duan të nxjerrin një dokument apo të bëjnë kërkesë specifike.

Tani qytetarët mund ta bëjnë në një vend kërkesën për një dokument, në të njëjtin vend mund ta bëjnë edhe pagesën dhe po në të njëjtin vend mund ta marrin edhe dokumentin për të cilin kanë aplikuar. Përveç kësaj, nuk ka më radhë të gjata e para sporteleve, ndërsa qytetarët janë të obliguar që të marrin numrin rendor i cili i lejon dhe mundëson për aplikim sipas numrit të radhës, e jo sikur herave tjera ku është krijuar tollovi nëpër të gjitha sportelet pasi shërbimet kanë qenë të shpërndara.
Edhe Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, për së afërmi i ka parë këto ndryshime, duke përgëzuar drejtorin Hajdari për punën që ka bërë në këtë drejtim.

“Sistemi i administratës komunale për shërbim të qytetarëve është funksionalizuar dhe nga sot pritjet në sportele do të jenë të organizuara sipas numrit rendor. Kjo nënkupton marrjen e një numri në lëshuesin e tiketës, i cili mundëson pritje në radhë për shërbim në sportelet e Komunës.

Risia tjetër është vendosja e banakut për informacion i cili që në hyrje do të orientojë qytetarët drejt sportelit të duhur.

Pajisjet e këtij sistemi kanë ekzistuar në Komunë, por kurrë nuk kanë qenë të funksionalizuara. Për më tepër, ky sistem ka pasur më shumë pajisje se që ka nevojë.

Funksionalizimi i këtij sistemi është bërë me punë vullnetare të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i falenderoj nga zemra për angazhimin, ndërsa qytetarët i uroj për shërbimet e reja komunale që tani e tutje do të kryhen më shpejtë e më lehtë”, është shprehur Kryetari Haskuka.

Nga ana tjetër Hajdari ka bërë me dije se këto ndryshime kanë qenë shumë të nevojshme me qëllimin që të lehtësohet puna e nëpunësve dhe njëkohësisht realizimi i shpejtë i kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Poashtu drejtori Hajdari ka bërë me dije se tani e tutje në katin e parë do të jetë edhe një hapësirë për fushën e gjeodezisë ku një gjeodet do të jetë gjatë tërë ditës në sportelin përkatës, ndërsa në sektorin e mbeturinave do të ketë shërbime më të shpejta për qytetarët. Rrjedhimisht, Hajdari ka bërë me dije se administrata e Prizrenit është duke pri për të mirë sa i përket çështjes së barazimit të pagesave./04online.info