Nisin hetimet ndaj 12 ish-zyrtarëve dhe nëpunësve të Prizrenit për ndërtimet tek hekurudha

0

Nisin hetimet ndaj 13 personave, 12 prej të cilëve ish-zyrtarë dhe nëpunës aktual të Komunës së Prizrenit, në cilësinë e të dyshuarve për kryerje të veprave penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit për shkak të lejimit të ndërtimeve në pronën e hekurudhës, si dhe uzurpimit të paligjshëm, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për ish- zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit, disa nëpunësve të këtij sektori si dhe atij të Inspektoratit.

Për afro gjashtë muaj, sipas padisë së kompanisë së hekurudhave NP IHK ‘Infrakos’ SH.A., për shkak të ndërtimeve në pronën e Hekurudhës së Prizrenit, Gjykata e Prishtinës e kishte bllokuar Planin Zhvillimor (PZH) të Komunës së Prizrenit, duke pamundësuar kësisoj dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë territorin e komunës. Heqja e kësaj mase, në mes të qershorit, ka zhbllokuar procesin.

Prokuroria Themelore (PTH-së) në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka pranuar kallëzim penal nga “Infrakos Sh.A.”, me ç’rast Prokurori i çështjes ka autorizuar Njësitin e Hetuesisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, që të mbledhë prova dhe të intervistojë personat e dyshuar.

Përgjegjësi për media në PTH, Prokurori Petrit Kryeziu, konfirmoi se më datën 19. 07. 2018, është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj 13 personave, për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerje të veprave penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, punimeve ndërtimore të kundërligjshme dhe veprës penale të uzurpimit të pa ligjshëm, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
“12 të pandehurit me inicialet; S.P., N.K., V.I., M.K., A.M., Sh.P., Gj.Gj., R.M., B.N., B.K. A.Th. dhe N.A., dyshohen për kryerje të veprës penale të Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa i pandehuri me inicialet D.H., dyshohet për kryerje të dy veprave penale, atë të punimeve ndërtimore të kundërligjshme dhe uzurpimit të pa ligjshëm”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Prizren, aktualisht është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të provave dhe informacioneve të mëtutjeshme me qëllim që të ndriçohet kjo çështje penale.

Zyrtarët komunal të Prizrenit kanë deklaruar se marrëveshja e Komunës për zhbllokimin e Planit Zhvillimor është arritur kur ‘Infrakos’ është pajtuar që të arrihet pajtimi gjyqësor në gjykatë, me ç‘rast është tërhequr padia, ndërsa Komuna e Prizrenit, do të bëjë realizimin e obligimeve të dala nga takimet e mbajtura dhe të përcaktuara me këtë marrëveshje.

Ditë më parë PTH ka bërë të ditur se po ashtu ka ngritur 18 aktakuza ndaj personave që dyshohen për uzurpimin e pronës së Hekurudhave të Kosovës në Prizren.

Referuar shënimeve, Komuna e Prizrenit në Planin Urbanistik nuk e ka paraparë që të ekzistojë hekurudha në pjesën ekzistuese, por që të ndërtohet një Stacion i ri hekurudhor tek Landovica, prej ku do të lidhet me Shqipërinë./GazetaePrizrenit.net/