Dyshohet se kosovari e përdhunoi turisten angleze në Prizren teksa po vizitonte Kalanë

0

Rruga për këmbësorë, e cila duhet kaluar për të vizituar Kalanë në Prizren është shndërruar në makth para katër ditësh për një turiste angleze. Aty një mashkull shqiptar i Kosovës, me inicialet M.K., thuhet se e ka detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale, përkundër refuzimit. Ngjarja besohet të ketë ndodhur rreth orës 21:30 minuta në mbrëmje, ditën e martë, 7 gusht 2018.
Viktima ka qenë e vetme, duke shkuar për të vizituar Kalanë. Pas kësaj, siç ka mësuar “Koha Ditore”, shtetasja e huaj, përmes një familjeje kosovare, e ka denoncuar rastin në polici. Ajo, sipas burimeve të gazetës, ka deklaruar se nuk e kishte njohur më parë të dyshuarin.

I dyshuari M.K. nga fshati Hoqë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren është dërguar në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.