Me trashëgimi shpirtërore të pasur e shpirtërisht të varfër!

0

Aq shumë kemi trashëgimi të pasur kulturore, e kaq të varfër jemi ne shpirtërisht, kaq shumë vlera të trashëguara kemi, por kaq injorante ndaj tyre jemi, trashëgiminë e kemi ruajtur disi por nuk e vlerësojm sa duhet, traditat, zakonet i bartim brez pas brezi mirëpo më duket se kemi një mospërfillje ndaj kësaj pasurie trashëguese. Ndjehemi kaq komod me gjithë keto vlera të trashëguara shpirtërore, dhe qëndrojmë në qetësi sepse mendojmë që ne jemi të pasur në këtë aspekt dhe gjumin e bëjmë rehat, e nuk bëjmë asgjë në lidhje me përparimin dhe prezantimin e kësaj pasurie para botës së artit. Ne sikur jemi mësuar me manipulime rreth vlerave tona të trashëguara, jemi kaqë tolerantë ndaj tyre.

Kosova përfaqëson një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore, gjë që na bënë si popull të dalluar në këtë aspekt. Mundësia e përdorimit të potencialeve që ofron vendi në këtë kategori është shumë e varur nga niveli i zhvillimit social-ekonomik, por jo vetëm. Resurset etno-sociale, shumicën prej të cilave i gjejmë në kategorinë ligjore të trashëgimisë shpirtërore, kanë popujt e lashtë të cilët kanë kultivuar dhe rikultivuar traditat, doket dhe zakonet e tyre ndër shekuj. Diversiteti kulturor i reflektuar nga folklori burimor si në veshje, muzikë, valle, tradita, zakone, etj., është shumë i rrallë në botë me këtë lami. Kjo sipas entologëve arsyetohet me tkurrjen territoriale të Ilirisë dhe kontinuitetit iliro-shqiptar në aspektin territorial.

Trashëgimia shpirtërore paraqitet si motiv etno-social turistik, këto resurse kanë vlera turistike dhe në shumicën e rasteve përdoren si motive plotësuese për qarkullime turistike. Por nëse vlerësohen dhe ekspozohen siq duhet atëherë vlera e tyre rritet dhe kësisoj ato edhe mund të marrin primatin e motiveve për lëvizje turistike të karakterit kulturor, etno-social.
Kjo është kategoria te e cila edhe turizmi zë vendin më mirë se në disa kategori të tjera. Kosova duhet ta shoh si potencial turistike këto trashëgimi shpirtërore, të cilat duhet të përfaqësohen me dinjitet para botës. Turizmi kulturor mund të jetë një qelës drejt hapjes së shtigjeve të zhvillimit ekonomik, duke ngjallur interesim tek turistët e huaj.
Disa nga format e kësaj trashëgimie të cilat bartin kuriozitete dhe motive kulturore për interes shoqëror dhe veçanërisht turistik janë: Besime e bestytni (shtresime para pagane), mbijetesa të religjionit natyror tek popullata-Paganizmi (kulte, vendet e kultit dhe ceremonitë rituale në to), doke e zakone familjare (zakonet e lindjes, martesës:fejesa dhe dasma, si dhe zakonet mortore), Vëllamëria, Kumbaria, Ritet e motmotit , Vallet tradicionale, Folklori burimor (ninullat, përrallat, lirika, epika, këngë pune, këngë historike…), e drejta zakonore-dokësore.

Traditat, zakonet, gjuha, festat, vallet, muzika, këngët, zejet artistike (artizanatet ose punëdore) paraqiten zakonisht si potenciale të cilat i takojnë trashëgimisë shpirtërore. Kështu këto shprehje janë të përcaktuara dhe definuara edhe në kornizën ligjore të Kosovës dhe në konventat ndërkombëtare. Populli ka ditur dhe ka ruajtur traditat e të parëve dhe ka kultivuar sjellje të reja të cilat të gërshetuara me të vjetrat japin ngjyrime interesante me elemente autoktone. Këto llojë potencialesh duhet nuhatur ku janë, duhet evidentuar, duhet krijuar inventar, duhet vlerësuar e seleksionuar, shpallur të mbrojtura në nivele të ndryshme dhe krejt në fund duhet propozuar si vlera të trashëgimisë botërore .
I mbetet Minstrisë së Kulturës që të ndërmerr veprime të cilat do të favorizonin ruajtjen dhe promovimin sa më të denjë të kësaj pasurie.

Shkruan: Florindë KRYEZIU