Zhurma për “NgomFestin” deri te përmendja e akteve terroriste

0

Qysh në mbrëmjen e parë të tij, edicioni i sivjetmë i festivalit të muzikës “NgomFest” ka ngjallur debat.

Por zhurma për këtë festival në qytetin e Prizrenit ka marrë kahe tjetër kur në të janë përfshirë edhe figura udhëheqëse të institucioneve fetare. Reagimi i kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berishës, ka bërë që ai të kritikohet për qasjen e treguar, shkruan sot Koha Ditore. Berisha ka krahasuar këngëtarët me lopë, duke iu kërkuar falje atyre që merren me të drejtat e kafshëve. Ka shkuar edhe më larg. Ka përmendur edhe sulme të mundshme terroriste.

“Është t’u pallë një lopë (më falni ju dashamirë të kafshëve për këtë krahasim) në Kala, po e terrorizon 70 për qind të qytetit!!! Prizreni qytet i festivaleve degjeneruese. Jam kundër të gjithë atyre që përmes ‘kulturës’ na mbushin rininë me drogë dhe prostitucion!”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook mbrëmjen e së enjtes, kur edhe ka nisur festivali i cili nga viti 2011 mbahet në Kalanë e Prizrenit. Brenda pak orësh, Berisha ka lëshuar një tjetër deklaratë.

“A ka inspektorat ky qytet? Shkoni more ndaleni zhurmën, se po çohet ndokush po bën ndonjë akt terrorist! Se veç kjo na mungon. Se kjo lopa është duke bërë ftesë për një gjë të tillë”, ka shkruar ai.

Reagimet ndaj deklaratave të Berishës kanë qenë të shpejta.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka reaguar duke thënë se Berisha ofendon dhe kërcënon me akt terrorist. Sipas tij, qëndrimet e Besim Berishës nuk janë konform detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet t’i promovojë paqen e tolerancën.

“Përkundrazi qasja e tij dhe komunikimi me qytetarët ka marrë karakter të fushatës nxitëse, kërcënuese, fyese, urrejtëse dhe përçarëse”, ka shkruar Kryeziu po në Facebook. Ka shkruar se një klerik që me deklarimet e tij kërcënon me akte terroriste, fyen e nxit urrejtje ndërnjerëzore nuk duhet të jetë në krye të një bashkësie religjioze. “Prandaj, të gjithë prizrenasit e besimit islam duhet të refuzojmë pagesën e taksave ndaj BIK-ut, deri në shkarkimin e imamit Besim Berisha”, ka shkruar ai.

Gazeta ka komunikuar gjatë ditës së premte me imamin Berisha. Ai nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e bëra të enjten. Por në mbrëmjen e së premtes është tërhequr nga ato që ka thënë. Këtë e ka bërë po me një deklaratë në Facebook.

Ka lajmëruar se i ka fshirë deklaratat e bëra më herët. Ka shkruar se ai kurrë nuk ka bërë ftesë për akte terroriste. Ka thënë ta ketë potencuar disa herë para autoriteteve komunale që duhet pasur kujdes me festivalet verore sa i përket zërit të muzikës pas mesnate, pasi sipas tij këto gjëra po nxisin urrejtje.

“Ju garantoj dhe siguroj, që në postimet e mia kam marrë për bazë edhe shqetësimet e qytetarëve të cilët i përfaqësoj. Kërkoj falje publikisht për ofendimin qe ia kam bërë atij tipit që folke (sepse s’ka kënduar)”, ka shkruar Berisha. Ka shkruar se Ismet Kryeziu i di qëndrimet e tij prej hoxhe. “Unë jam i drejtpërdrejtë dhe nuk paguhem nga askush, pos se nga ju! Ata që thithin fonde në emër të proklamimit të ‘demokracisë’ le të mendohen për të ardhurat e tyre! Xhemati im i respektuar, në cilin libër shkruan që ‘muzika’ e shfrenuar dhe degjeneruar deri në 04:00 të mëngjesit është kulturë?”, ka shkruar midis të tjerash ai.

Shqetësimet e qytetarëve për zhurmën që ka krijuar nata e parë e festivalit, kanë bërë që organizatorët të takohen me zyrtarët komunalë dhe ata policorë të enjten.

Drejtori i “NgomFestit”, Ardian Kazazi, ka thënë se nuk mund t’i komentojë deklaratat e të tjerëve. Ka thënë se janë të vetëdijshëm sa u përket shqetësimeve.

Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë në Prizren, ka thënë se Komuna e ka dhënë lejen për mbajtjen e festivalit deri në orët e vona./Koha Ditore