Zoti e dinte që jeta ka veshtirësi, ndaj ekzistojnë motrat

0

Perderisa po pija kafen e mengjesit tashmë të ftohur, vajza ime u degjua perseri nga dhoma tjetër. Edhe njëherë mendova për pjesën e veshtirë të detyrës më të bukur në botë. Asgjë e re – ishte menyra si ajo kerkonte vemendje. Kur e merr në duar e harron lodhjen, por perseri ka momente kur ndihesh se nuk mund të ja dalësh. Ndaj ekzistojnë motrat.

Falë teknologjisë ka 100 menyra komunikimi pa pagesë, perndryshe nuk di si do të ja dilnim t’i transmetonim njëra-tjetres të gjitha momentet, pa shpenzuar një pasuri. Fotografi dhe video pa fund, ankesa dhe keshilla, motivim dhe mbeshtetje… ja pse ekzistojnë motrat.

Por, normalisht, nuk ishte gjithmonë keshtu.

Kemi kaluar edhe në “mos i prek gjërat e mia”, “mos i vesh rrobat e mia”. Kemi perjetur edhe dridhjen pas fjalisë “tash i tregoj babit”. Kemi provuar edhe shijen e “mos m’folë më”.
Pertej të gjitha ketyre, duhet të kalojnë vite para se ta kuptosh se nuk ka lidhje më të fortë dhe më të nevojshme, për të perballuar secilen veshtirësi në këtë udhëtim të quajtur jetë.

Kafja ishte e ftohur.
Por në momentin që u ankova për lodhjen, motra ime ma rikutoi edhe njëherë bukurinë e të qenurit nanë. E dinte më mirë se unë për çfare fjalesh kisha nevojë. Më tha se nuk kishte qenë e lehtë për asnjë grua por ama as kaq e bukur jeta ime nuk kishte qenë më parë. Ma rikujtoi se ditët e gjata do të zevendesohen shpejtë me kujtime ndaj duhet t’i shijojmë sa më shumë që mundemi. Se fillimet janë të veshtira secilën herë por asnjë fillim nuk kishte qenë më i rendesishëm se ky… Prandaj Zoti i krijoi motrat.

A ka person tjetër që bëhet mikja jote më e mirë, edhepse ka qenë armiku yt më i madh një ditë më parë? Femijeri dhe adoleshencë i kemi kaluar në njëren nga keto dy gjendje, pa e ditur se në këtë menyrë po ndertojmë lidhjen më të fortë në botë. E kemi fituar besimin edhe pas gabimeve dhe në këtë menyrë kemi krijuar konceptin e një shoqerie që zgjatë një jetë. Kemi ndier dhimbje për dhimbjen e njëra-tjetrës edhe në ditët kur nuk kemi qenë shoqe. Gjithçka duket si ënderr pasi kalojnë vitet. Atëhere kur i kujton me nostalgji fjalët e gjyshës: “rrini rahat, se nuk e keni kerkan ma afer se njara-tjetren” dhe kundershtimin tonë të menjehershëm…

Kush nuk ka nevojë për një person që ja degjon shperthimet e momentit dhe i harron ato kur duhet të harrohen? Janë disa hapsira në jetën e seciles prej nesh të cilat vetëm një moter mund t’i plotësojë. Është standardi që vendoset edhe kur zgjedhim shoqërinë. Është lidhja unike e gjakut që çuditërisht forcohet dita-ditës, pavarësisht distancës. Dhe mbi të gjitha: është numri për ku dora jote shkon vetvetiu, sa herë ke një dhimbje apo deshprim për të rrefyer, duke e ditur se gjithçka mbetet mes jush – më e sigurtë së cdo gjë tjetër në këtë botë.

Kush nuk ka nevojë për një dorë që i zgjatet në ditët e veshtira? Është nder ato pak lidhje ku nuk hyn krenaria kur vjen puna tek kerkesa për ndihmë. Dhimbjet e çfardo forme pergjysmohen kur ndahen – dhe motra është nder pak njerëz që perpiqet ta marrë dhimbjen tënde plotësisht ashtu që ti të lehtësohesh.

Motra është thesari për të cilin asnjëherë nuk falenderohemi mjaftueshëm, të pakten jo me zë. Është ajo lidhja që na bën neve të plotë por perseri e marrim për të mirëqenë. Është pjesa që na duhet për të mos u ndier kurrë vetëm, pavarësisht largësisë. Motra është pika ku nisesh për të festuar fillimet e mbara por edhe për t’i qarë lajmet e trishta. Është pjesa më e bukur e fjalive që fillojnë me “a të kujtohet kur…?”. Është nana jote e dytë – sidomos kur ajo mungon.

Sot nuk është dita e motrave – siç e hasim shpesh në facebook.
Nuk di a ekziston një ditë e tillë – dhe nese po, nuk është e nevojshme. Sepse secili moment ështe i duhuri për të festuar praninë e një motre në jetën tënde, nese e ke. Është fati që nuk i takon secilit. Është fati të cilin i lutëm Zotit të ma mundësoj të ja dhuroj vajzës time, një dite.
Sepse jeta nuk është e lehtë gjithmonë.
Ka raste kur ndien se nuk mund të ja dalësh vetëm.
Ndaj Zoti i krijoj motrat…

 

Shkruan: Rina VUÇETAJ